“Turqia duhet të paguajë dëmshpërblim për rrëzimin e avionit Su-24”, ka qënë kjo deklarata e zv. Ministrit të jashtëm rus, Alexei Meshkov, i cili shtoi se zyrtarët e Ankarasë duhet të kërkojnë falje për veprimin e kryer, si dhe duhet të sigurojnë Moskën që incidente të tilla nuk do të përsëriten.
E menjëhershme ka qënë edhe kundërpërgjigjia e zyrtarëve turq. Zëdhëniësi i Ministrisë së Jashtëme, Tanju Bilgic u shpreh se vendimi për të rrëzuar avionin su-24 u mor pasi mjeti fluturues nuk respektoi kufinjtë ajrore. Ai shtoi se përpara goditjes, forcat ajrore turke paralajmëruan të paktën 10 herë.
“Qëndrimi ynë sa i përket Rusisë është mjaft i qartë. Avioni i tyre u rrëzua pas paralajmërimeve sepse nuk rrespektoi sovranitetin tonë. Zyrtarët e Kremlinit janë shprehur vazhdimisht se janë ndjerë të kërcënuar prej nesh, por kjo është thjesht një histori e sajuar prej tyre.”
Incidenti i disa javëve më parë i ka dërguar marrëdhëniet midis vendeve në një pikë mjaft kritike. Përfaqëuesit e Kremlinit janë shprehur se do të ndërmarrin sanksione ekonomike ndaj Ankarasë, teksa pritet që Moska të bllokojë edhe regjimin pa viza për qytetarët turq, pas datës 1 janar.