Lajmet e fundit

Turqia sot voton

Në Turqi sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat mbi 54 milionë votues të regjistruar do kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës për përbërjen e re të Parlamentit kombëtar ose Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, e cila ka gjithsej 550 vende.

Në zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura më 7 qershor, asnjëra alternativë politike nuk arriti të fitojë shumicën e nevojshme për të formuar e vetme qeverinë. Pasi që negociatat për koalicione nuk patën sukses, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në bazë të kushtetutës, solli vendim për përsëritjen e zgjedhjeve.

Qendrat e votimit në 32 zona elektorale në lindje dhe juglindje të Turqisë u hapën këtë mëngjes në ora 07:00, kurse në pjesën tjetër të vendit në orën 08:00 sipas kohës lokale. Gjithësej janë hapur 175,006 vendvotime në 81 njësi zgjedhore ku 54,049,940 votues të regjistruar do të vendosin për përbërjen e 26-të të organit më të lartë legjislativ të Turqisë.

Mbyllja e vendvotimeve në lindje dhe juglindje është planifikuar në ora 16 sipas kohës lokale, dhe në ora 17 në pjesën tjetër të vendit, disa orë më vonë priten rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve dhe deklaratat e liderëve të partive më të forta.

Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 16 parti politike dhe 21 kandidatë të pavarur. Në garën zgjedhore me pritjet më të larta hynë Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) me në krye Kryeministrin e Turqisë Ahmet Davutoglu, pastaj Partia më e fortë opozitare Popullore Republikane (CHP), me liderin Kemal Kilicdaroglu, Partia Popullore Kombëtar (MHP) e udhëhequr nga Devlet Bahceli, si dhe Partia Demokratike Popullore pro-Kurde (HDP), e cila më 7 qershor për herë të parë kaloi pragun zgjedhorë.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 7 qershor, Partia AK mori 40.87 përqind të votave dhe siguroi 258 vende në parlament, CHP mori 132 vende, kurse MHP dhe HDP morrën nga 80 vende në parlament.

Qendrat e votimit për qytetarët turq që jetojnë jashtë vendit ishin të hapura nga 8 deri më 25 tetori edhe atë në 54 vende të botës. Gjithashtu edhe vendvotimet në kalimet kufitare janë hapur më 8 tetor, dhe do të mbyllen më 1 nëntor, në ora 17.

Për mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhorë, në gjithë Turqinë janë marrë masa të shtuara të sigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.