Lajmet e fundit

U shit 400 euro: Vjollca Shkëmbi mbron “tutorët”, kam një fëmijë në Bullgari

Vjollca Shkëmbi, nga fshati Pojan i rrethit të Korçës ka hedhur poshtë akuzat e policisë së qytetit juglindor se është rrëmbyer dhe është shitur disa herë në Maqedoni për 400 euro nga 23-vjeçari Qazimaj (banues po në Pojan) dhe daja i këtij të fundit, 50-vjeçari Mersin Myrtollari, nga fshati Porodinë e Korçës.

“Unë kam qenë e martuar në Maqedoni, por nuk jam shitur. Urim Qazimaj dhe daja i tij janë arrestuar padrejtësisht. Urimi është i dashuri im dhe kam lidhje jashtëmartesore me të që prej dy vitesh. Atë e thirra unë që të vinte të më merrte në fshatin Dobranj të Devollit, pasi dua të ndahem nga burri me të cilin jam martuar për herë të dytë.

Policia ka sajuar një histori të turpshme, për të cilën duhet të mbajë përgjegjësi. Një efektiv policie që m’u prezantua si shef Krimesh në Korçë më detyroi të firmosja një procesverbal, të cilin unë nuk e kam lexuar”, u shpreh dje 24-vjeçarja

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Vjollca Shkëmbi pohoi se ka qenë e martuar me një shtetas maqedonas dhe se ka një vajzë 4 vjeçe me të.

Gjithashtu, 24-vjeçarja u shpreh se më pas është ndarë me maqedonasin dhe është martuar jashtë dëshirës me një burrë shumë më të madh në moshë se ajo nga Dobranji i Devollit, me të cilin do të ndahet. Ndërkaq, ajo u shpreh se policia hodhi baltë mbi të.

Policia ka arrestuar dy persona, pasi akuzohen se ju kanë rrëmbyer dhe se do ju shisnin për 400 euro në Maqedoni. Çfarë mund të na thoni për këtë?

Nuk është aspak e vërtetë që unë jam shitur. Është sajesë e policisë së Korçës dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi. Unë jam e martuar në fshatin Dobranj të Devollit, por prej kohësh nuk shkoj mirë me bashkëshortin tim dhe kisha vendosur që të largohesha prej tij.

Po dy të arrestuarit, Urim Qazimaj dhe daja i tij, Mersin Myrtollari, përse ndodheshin në fshatin Dobranj të Devollit?

Unë kam lidhje jashtëmartesore me Urimin, të cilin e kam marrë në telefon dhe i kam kërkuar të vinte të më merrte me taksi, pasi kisha shumë rroba dhe nuk i merrja dot në dorë. Ai ka marrë edhe dajën e tij me vete për të shmangur ndonjë konflikt me njerëzit e bashkëshortit tim. Në momentin që ne po ktheheshim drejt Pojanit të Korçës, atje ku jeton i dashuri im, disa persona të maskuar dhe me armë na kanë prerë rrugën duke bërtitur “Policia, policia”. Unë me vete kam pasur edhe vajzën e mitur, e cila ende është e shokuar nga sjellja e policisë. Ata arrestuan menjëherë të dashurin tim dhe dajën e tij, ndërsa më shoqëruan edhe mua në komisariat.

Çfarë ndodhi më pas?

Shkuam në komisariatin e policisë, por nuk më sqaronin arsyen pse më morën. Më dridhej trupi, pasi nuk po merrja vesh se çfarë po ndodhte. Dëgjoja ulërimat e të dashurit dhe dajës së tij, pasi po i godisnin policët në dhomë. Nuk durova dot dhe nisa të bërtisja, duke i pyetur se çfarë po ndodh. Një burrë i gjatë, që m’u prezantua si shef i Krimeve, më solli një letër dhe më kërkoi të firmosja. Nuk e lexova se çfarë kishte përmbajtja e saj, por e firmosa. Ndërsa ai më pyeti nëse e doja apo jo Urimin. Unë menjëherë iu përgjigja: “Po”. Pasi firmosa, më lanë të lirë dhe më thanë “ik e qetë në shtëpi, sepse pas dy orësh do lirohen edhe dy të tjerët”. Kur shkova në shtëpi, u tmerrova kur pashë në lajme se ata akuzoheshin se më kishin shitur mua në Maqedoni. Kjo është çmenduri!

A keni qenë ju në Maqedoni dhe sa herë?

Martesa ime e parë ka qenë në Maqedoni me një shtetas maqedonas, me të cilin kam edhe një vajzë 4 vjeçe. Me këtë shtetas më ka njohur një i afërmi im. Edhe pse nuk e doja, u martova atje pasi familja ime jeton në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Kjo më detyroi të martohesha, pavarësisht se nuk e doja. Më pas u ndava prej tij, pasi më dhunonte vazhdimisht dhe aktualisht ndodhet në burg për trafikim të lëndëve narkotike. Disa kohë më parë unë u martova për herë të dytë në fshatin Dobranj të Devollit. Përsëri nuk isha e lumtur, ndërsa kam shumë diferencë në moshë me bashkëshortin tim. Prej dy vitesh unë kam krijuar një lidhje jashtëmartesore me Urimin dhe e duam shumë njëri- tjetrin. Por që të thuhet se unë shitesha me lekë, kjo është çmenduri dhe shumë e turpshme. Është një stisje nga ana e policisë. Nuk e di arsyen pse e kanë bërë një gjë të tillë.

Ju, keni bërë kallëzim më herët ndaj të dashurit tuaj, Urim Qazimaj?

Nuk kam bërë asnjëherë kallëzim ndaj tij. Nuk e kuptoj pse e thotë policia një gjë të tillë. Nëse unë kam bërë kallëzim dhe vërtetohet kjo gjë, do të shkoj vetë të dorëzohem në polici. Unë e dua atë njeri dhe nuk mund të fusë në burg njeriun që e dua më shumë se veten time. Unë kam shkuar me Urimin dhe nuk më ka detyruar asnjëherë forcërisht. Policia të thotë arsyen e vërtetë pse i arrestoi dajë e nip, dhe jo të hedhë baltë mbi mua duke sajuar se unë kam shkuar kam bërë kallëzim.

Cili është apeli juaj?

Unë kërkoj urgjentisht të lirohet i dashuri im dhe daja i tij, pasi janë arrestuar padrejtësisht duke i akuzuar padrejtësisht. Nuk e kuptoj kush e ka sajuar gjithë këtë histori qesharake. Do të shkoj të ankohem në të gjitha institucionet përkatëse, pasi më kanë detyruar të firmos procesverbalin. Edhe pse kam kërkuar të lexoj përmbajtjen, nuk ma kanë lejuar një gjë të tillë. Më kanë shkatërruar familjen duke thënë se unë jam shitur. Kjo është skandaloze. Unë nuk e lë me kaq, pasi më kanë përbaltur emrin dhe dinjitetin e familjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.