Aleanca Kosova e Re që udhëhiqet nga zv/kryeministri Behgjet Pacolli, është futur në udhëkryq politik, pas rezultateve të zgjedhjeve lokale në Kosovë ku arriti të marrë rreth 40 mijë vota apo rreth 5.5% të votave në nivel vendi. Në komunat ku ndodhet në balotazh, kjo parti ka bërë koalicione për herë të parë me LDK-në, parti që deri tani ka pasur një lloj “averzioni” ndaj AKR-së e cila e dëmtoi rëndë më 2007 dhe e nxori në opozitë.
Analistët politikë e shohin AKR-në si parti që me një riorganizim dhe strukturim, mund të jetë sërish partia që vendos për fituesit e kabinetit të ri qeveritar pas zgjedhjeve të reja parlamentare, shkruan Tribuna.Aktualisht AKR, edhe pse është në bashkëqeverisje qendrore me PDK-në, mban një pozicion neutral politik. Krerët e këtij subjekti politik ndihen komodë dhe nuk kanë asnjë frikë për pragun elektoral që duhet kaluar për të mbetur pjesë e garniturës parlamentare. Sekretari i përgjithshëm Ibrahim Makolli, ka thënë për Tribunën se AKR tashmë është rikonfirmuar si subjekt i qëndrueshëm në skenën politike.
“Pritjet tona në këto zgjedhje lokale kanë qenë më të mëdha dhe jam shumë i bindur se fuqia e AKR-së është shumë më e madhe sesa rezultati që ka dalë nga këto zgjedhje lokale, kur e kemi parasysh faktorin se ne nuk kemi marrë pjesë në këto zgjedhje në të gjitha komunat”, ka thënë ai. Makolli nuk e ka përjashtuar asnjë bashkëpunim me subjektet tjera në të ardhmen. /Tribuna/