Lajmet e fundit

UEFA: Historitë më të suksesshme të futbollit shqipta

2015-ta është padyshim viti i futbollit shqiptar. Për herë të parë një skuadër e vendit tonë luan në fazën e grupeve të Europa League, ndërsa Kombëtarja regjistroi kualifikimin historik në fazën finale të Kampionatit Europian.

 

Prej arritjeve të shkëlqyera të Skënderbeut në kupa dhe përfaqësueses kuqezi në Euro 2016, UEFA vendosi ti kushtojë një hapësirë speciale historive më të suksesshme të Shqipërisë në kompeticionet që organizon.

 

Një listë statistikash që nis me lojtarët që numërojnë më shumë ndeshje në Kupën e Kampionëve, tashmë të njohur me formatin Champions League. Në krye qendron Besnik Hasi me 35 ndeshje me Anderlecht-in, i ndjekur nga Altin Haxhi me 21, me fanellat e Litex Lovech, CSKA e Sofies, Anorthosis dhe APOEL Nicosia.

 

Vendi i tretë, me 20 përfaqësime ndahet nga dy lojtarë aktualë të përfaqësueses: kapiteni Lorik Cana me Paris Saint-Germain, Marseille e Lazio dhe Taulant Xhaka që megjithë moshën e re është element kyç te Basel. Tjetër kuqezi në listë është portieri Orges Shehi me 16 ndeshje.

 

Lista e lojtarëve që kanë shënuar më tepër në aktivitetin më të rëndësishëm kryesohet nga Hamdi Salihi me 6 gola, një me Tiranën dhe 5 me Skënderbeun në këtë edicion. Ai ndiqet nga drejtori sportiv i Tiranës, Devis Mukaj me 5 dhe menaxheri i Kombëtares Alban Bushi me 4 gola.

 

Përsa i takon lojtarëve që numërojnë më tepër ndeshje në kompeticionet e UEFA-s, Lorik Cana kryeson në kuotën 56, i ndjekur nga ish-lojtari i Kombëtares Admir Teli me 48 dhe mbrojtësi kuqezi, Ansi Agolli. Më tej renditen Hasi, Haxhi, Salihi e Shehi.

 

Lista e golashënuesve më të mirë shqiptarë në kupat e Europës kryesohet nga Hamdi Salihi me 14 gola, me tre klube shqiptare Vllazninë, Tiranën e Skënderbeun dhe dy austriake, Ried dhe Rapid i Vjenës. Ai ndiqet nga Kliton Bozgo dhe Indrit Fortuzi, ndërsa në renditjen speciale figuron edhe një legjendë e Flamurtarit si Vasil Ruci.

 

Igli Tare në periudhën kur ishte te Brescia është lojtari i vetëm shqiptar që ka luajtur në një finale. Bëhet fjalë për finalen e Kupës Intertoto ku Brescia humbi përballë Paris Saint-Germain.

 

Bledar Kola është shqiptari i parë që ka luajtur në Champions League, në vitin 1998 me Panathinaikos, ndërsa Besnik Hasi gjatë sezonit të kaluar është trajneri i parë shqiptar që ka drejtuar një skuadër në evenimentin prestigjoz.

 

Shqiptari i parë që ka shënuar në formatin e vjetër Kupa e Kampionëve është Kolec Kraja me Partizanin në vitin 1962, ndërsa i pari në Champions League ka shënuar Besart Berisha në fitoren 3-2 të Hamburg përballë CSKA-së së Moskës në vitin 2006.

Leave a Reply

Your email address will not be published.