Lajmet e fundit

UEFA super lajm për biletat në Euro 2016

Tifozët shqiptarë kanë përsëri mundësi të sigurojnë bileta për fazën finale të Euro 2016, ku Shqipëria do të luajë në Grupin A, ndaj Francës, Zvicrës dhe Rumanisë.

Pas përfundimit të afatit të aplikimeve rreth biletave për tifozët e përfaqësueses kuqezi dhe mbylljes së rezervimeve për 800 mijë vendet e vëna në dispozicion në faqen për ekipet pjesëmarrëse, UEFA njoftoi se aplikimet do të vazhdojnë deri më 1 Shkurt.

Këtë herë me një formulë të ndryshme. Çdokush mund të aplikojë për bileta, në faqen e UEFA-s të rezervuar për ndeshjet e veçanta.

Në dispozicion për publikun e përgjithshëm janë 1 milion bileta që përbëjnë 42% të totalit të përgjithshëm të biletave në Francë 2016.

Në këtë mënyrë, rriten shanset për tifozët e Kombëtares, që mund të zgjedhin pikërisht përballjet e Shqipërisë dhe të shpresojnë se do të sigurojnë vende në stadium.

Ky është një avantazh edhe për ata tifozë, që nuk disponojnë pasaportën shqiptare ose atë kosovare, që ishin dy dokumentat e vetme të pranueshme për aplikimin si mbështetës i Shqipërisë.

Në afatin e ri, për bileta në ndeshjet e skuadrës së drejtuar nga Gianni De Biasi tashmë mund të jenë edhe shqiptarët e diasporës, të cilët do të bënin që numri i mbështetësve në ndeshjet e Kombëtares të ishte dukshëm më i madh.

UEFA njoftoi se të gjitha ata që do të aplikojnë për bileta të ndeshjeve të veçanta, deri në datën 29 Shkurt do të njoftohen nëse janë fitues.

Ndërkohë, konfederata europiane e futbollit publikoi edhe shifrat zyrtare të kërkesave në fazën e parë, atë të ndeshjeve të një përfaqësueseje specifike.

Në portalin online të biletave u regjistruan plot 3,5 milionë kërkesa nga 189 vende të ndryshme. Ndeshjet me kërkesën më të lartë ishin Gjermani-Poloni më 16 Qershor, Republika e Irlandës-Suedi më 13 qershor dhe Portugali-Austri më 18 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.