Kur ne tregohemi të zonja, ne identifikohemi si burrërore. Në traditën dhe kulturën tonë kanunore, virtytet si trimëria, dituria, drejtësia, udhëheqja, janë virtyte mashkullore dhe kur një femër bën një vepër të ngjashme, ajo duhet të identifikohet si burrërore.
Në traditën tonë shpesh kanë ndodhur edhe vepra kundër natyrës njerëzore, si rastet kur në familje nuk kishte djalë edhe një femër hiqte dore nga vetia si një grua, nga martesa, dhe vendoste për t’i ndihmuar prindërve duke u sakrifikuar. Ajo quhej burrneshë, duke mos ia dhënë një mundësi normale që ajo të merrte një mashkull në familje, si bashkëshort të saj, dhe të vazhdonte një jetë normale. Pavarësisht që vepra te tilla që nuk përshtaten më natyrën njerëzore, sot janë në zhdukje, ne vazhdojmë të quhemi burrërore.
Sa herë revoltohem ndaj shprehjes burrërore, tingëlloj qesharake fatkeqësisht dhe nga miqtë të mi studentë, e lëre më të provoje e të ja sqaroj këtë dikujt tjetër. Shumë larg jemi për te t’ia dhënë femrës rolin e saj që e meriton. Kam dëgjuar e kam parë se si femra të suksesshme ofendohen, pra quhen burrërore.
Prandaj, unë kërkoj të mos më ofendoni. Unë jam femër. Çdo suksese dhe çdo dështim timin e bej si një femër. Në shoqërinë tonë, nëse nuk është burrërore, nëse nuk provon të duket e fort, e ashpër ajo, nuk do të komentohet për sukseset e saj. Ne shohim në media tona femra te suksesshme që shoqëria jonë i komenton për mënyrën se si i ka rregulluar flokët dhe si është veshur dhe jo arsyen kryesore që ajo është aty të dëgjohet fjala e saj. Duke e gjykuar dhe duke e krahasuar, ajo ose identifikohet si burrërore ose është e pandershme.
Në traditën tona femra ka heshtur dhe ka duruar ndaj çdo padrejtësie. I duhet një luftë e gjatë për të drejtat e saj. Femrat vetëm më punë dhe me mundin e tyre mund ta dëshmojnë se ato nuk janë burrërore sa ato munden, sepse janë femra. Por, kuptoje që të qënit udhëheqës nuk është muskulore dhe as çështje force. Ata nuk e marrin mundin për të thënë që ajo është e suksesshme, por thonë ajo është shumë burrërore. Por, kur e thonë femrat është si një goditje më thikë.
Të dashura vajza edhe gra, ju duhet të ndaloni sakrificën tuaj. Ju duhet të luftoni për të drejtën tuaj në pronë. Mos nënshkruani për kalimin e pasurisë në emër të vëllait. Në traditë tonë është një situatë poshtëruese kur femrës që kërkon atë që i takon, pra prona familja, vendosë që të ndërpres kontaktin me të, duke mos e vlerësuar kështu as edhe një kontribut të bërë nga vete ajo.
Nëse ata qenkan të tillë që nuk do të flasin më vetëm për pronën, duhesh të mendosh mire nëse ata e meritojnë respektin tënd. Nëse familja jote është e gatshme të heq dorë nga ti për gjëra materiale, atëherë ku ka hapësirë për dashuri ndaj tyre. Trego që ti ke kontribuar edhe që ti meriton pronë. Mos e nënvlerëso vetën: kujtoja se je zgjuar para të gjithëve dhe ke rënë të flesh e fundit nga të gjithë. Vlerësojë veten e trego se punët e shtëpisë janë punë pavarësisht që nuk sjellin të ardhura. Kërko nga burri juaj të regjistrojë pronën e përbashkët se kontribut i juaj në rritjen e fëmijëve dhe në krijimin e familjes është i madh. Askush nuk do të vlerësojë nëse ti nuk fillon ta vlerësosh vetën. Nëse ti nuk mund të kishe ato që deshe, bëhu shembull për vajzën tende që ajo të merr atë që i takon.
Unë nuk jam burrërore; unë nuk sakrifikohem për askënd; unë nuk heq dorë nga ajo që më takon; unë nuk heq dorë nga prona. Unë nuk sakrifikohem për askënd, sepse jam e vetëdijshme që ata nuk e bëjnë ketë për mua. Duke marr pronën apo regjistruar pronën e përbashkët, ti bën veten tënde të fuqishme dhe të ardhmen tënde të sigurt.
Tregoi familjes se nuk po të shkollojnë për t’ia dërguar rrogën burrit. Por, bërtit më zë të lart se ato që fiton janë parat tua edhe se do t’i shfrytëzosh për ta jetuar jetën tende fillimisht; se dëshiron që ta rregullosh jetën tënde dhe se t’i mund të kontribuosh. Tregoju njerëzve se prona që të takon edhe që nuk heq dorë, po e merr se është e jotja dhe nuk po ia merr vëllait dhe se nuk po ia jep burrit – si thuhet në shoqërinë tonë. Trego që ti po bën gjithçka për veten tende edhe se kjo gjithçka është thjesht diçka që të takon më ligj. Mëkati më i madh në këtë botë është dëmtimi i vetvetes. Mos kërko zbatim të ligjit: zbatojë ti atë e mos nënshkruaj për heqje dorë nga e drejta e jote për pronë.
Shkruan : Besarta Meha