Lajmet e fundit
Uniforma e FSK-së në ahengje private, suspendohet ushtari

Uniforma e FSK-së në ahengje private, suspendohet ushtari

Një pjesëtar i FSK-së është suspenduar nga detyra, ndërsa ndaj një personi tjetër është ngritur procedurë penale, pasi që kishte keqpërdorur uniformën solemne në një ceremoni private. Vendimi është marrë pas një takimi që ministri i FSK-së, Haki Demolli, zhvilloi me komandantin e kësaj force gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarin e përgjithshëm Shkelzen Sylaj dhe gjeneral e drejtorë të lartë të MFSK-së.

“Me këtë rast ia bëjmë me dije opinionit të gjerë dhe analistëve të ndryshëm që kanë bërë pyetje publike, se për këtë ngjarje si Ministri nuk kemi dashur të reagojmë, në shkrimet e paverifikuara të mediave të publikuara gjatë vikendit, pa mbledhur informacionin e duhur për ngjarjen konkrete. Nga të dhënat e mbledhura rezulton se: Asnjë oficer ose zyrtar i lartë i FSK-së nuk ka dhënë urdhër, që ndonjë pjesëtar i Njësisë Ceremoniale të marrë pjesë në ndonjë ceremoni private me uniformë solemne”, thuhet në njoftim.

Në takim është konstatuar se në rastin konkret, personi i shfaqur në fotografinë që kanë publikuar mediat, e që është në rolin e shoferit në dasmën e Korab Shaqirit, djalit të këngëtarit Ilir Shaqiri, nuk është pjesëtar i FSK-së.

“Është vërtetuar se një pjesëtar i Trupës Frymore të FSK-së (emri i njohur për MFSK-në) i ka huazuar uniformën solemne kryefamiljarit të dasmës, pa dijen dhe pa lejen e eprorëve të FSK-së. Me këtë rast MFSK-ja vlerëson se pjesëtari i FSK-së, që në këtë rast është pjesëtar i komponentit rezervë, konkretisht i trupës muzikore dhe me profesion muzikant instrumentist, dhe që nuk është ushtar profesionist, ka shkelur rregulloret dhe ligjet e FSK-së, si dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e FSK-së para qytetarëve të vendit dhe opinionit publik”.

Me vendim të ministrit të FSK-së, Haki Demolli, dhe me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës, për këtë shkelje, pjesëtari i FSK-së suspendohet nga FSK-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.