Simboli i qytetit të ndarë, ura mbi lumin Ibër, që prej pas lufte u bë e njohur si një pikë e nxehtë e tensioneve ndëretnike, nuk arriti të bashkojë as gjatë vitit 2015 veriun me jugun e qytetit të Mitrovicës, dhe as qytetarët e saj.
Analistët shqiptarë e serbë, por edhe qytetarët, fajësojnë politikën për gjendjen aktuale, ndërsa ka qytetarë të cilët thonë se gjithçka ka marrë fund sa i përket Mitrovicës, sepse ajo është shitur nga politikanët.
Një qytetare që nuk ka dashur të prezantohet, ka bërë politikën fajtore për urën e bllokuar dhe gjendjen e përgjithshme aktuale në Mitrovicë.
Edhe Muhamet Zeqiri, qytetar nga pjesa jugore e qytetit, tha se politika i ka fajet për situatën e tanishme.
Ndërkaq, Besi Suhodolli, ka bërë të ditur për KosovaPress se politika nuk mund ta rregulloj çështjen e Mitrovicës, sepse siç u shpreh ai, politika vetë e ka shitur Mitrovicën.
Në anën tjetër, analisti Nexhmedin Spahiu, çështjen e urës dhe mos bashkimin e qytetarëve e sheh si intencë të Beogradit.
Spahiu veprimet e fundit të opozitës i sheh si emancipim të klasës politike dhe shoqërisë në përgjithësi, të cilat mund të ndikojnë pozitivisht, duke përfshirë edhe problemin e Mitrovicës, pavarësisht se këto veprime mund të shihen si të dhunshme në sytë e qytetarëve.
Gazetari dhe analisti nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, ka potencuar se problemi kryesor për gjendjen në këtë qytet dhe qytetarët e saj, janë politika dhe politikanët.
Kështu, qyteti që sot jeton i ndarë, por me nostalgjinë se një ditë do të bashkohet, mbetet në mëshirën e kohës që të përcaktojë fatin e tij, derisa mitrovicasit presin që sa më parë të zgjidhet ky problem. /KosovaPress/