“Disa mund të thonë se treni për zgjerim po lëvizë shumë shpejtë, ose disa të tjerë mund të thonë se ai po lëvizë shumë ngadalë, por çështje kryesore për grupin Vishegradi4 është se treni po lëvizë”, tha ministri i jashtëm hungarez, Janos Martonyi, vendi i të cilit ishte mikpritës i takimit.
Grupi V4 tha se zgjerimi i BE-së është i aftë ta stabilizoj dhe transformoj rajonin për të mirën e të gjithë partnerëve të vet, por ka tërhequr vërejtjen se anëtarësimi duhet të jetë i kushtëzuar me të arriturat individuale të atyre vendeve, që dëshirojnë të hyjnë në BE.
E përditshmja Wall Street Journal shkruan se takimi i së enjtes,në të cilin kishin marrë pjesë edhe zyrtarë të nivelit të lartë qeveritarë nga Italia, Turqia dhe Austria, kryesisht kishte për qëllim ta shfaqë mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malin e Zi, Serbinë, Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën, në përpjekjet e tyre për integrim në BE dhe për të diskutuar bashkëpunimin e mëtejshëm në mesin e disa vendeve të pranishme në fushë të energjisë, infrastrukturës dhe kulturës.
Kroacia është anëtari më i ri i Bashkimit Evropian, i 28-ti me radhë, që u anëtarësua më 1 korrik të këtij viti.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian është “shumë larg nga ajo që të jetë një autopilot”, tha komisionari për zgjerim, Stefan Fyle, dhe ka shtuar se “Brukseli duhet t’i marrë në konsideratë shqetësimet e shtetasve të BE-së”.
Zoti Fyle, po ashtu, ishte i pranishëm në takimin e grupit V4.
Vendet e grupit V4 e kanë mirëpritur progresin e rëndësishëm të Malit të Zi në negociatat për pranim dhe kanë shprehur mbështetje për fillimin e negociatave me Serbinë, në janar të vitit 2014, shkruan Wall Street Journal, duke theksuar konstatimin e grupit V4 se “do të ishte ideale nëse negociatat me Serbinë fillojnë menjëherë pas miratimit të kornizës për negociata pa përfshirjen e kushteve të reja”.
Grupi Vishegrad4, i përbërë nga Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia, të gjitha anëtare të Bashkimit Evropian, e mbështesin Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit me Kosovën dhe kanë shprehur rëndësinë e bisedimeve që janë në zhvillim e sipër ndërmjet Serbisë e Kosovës, dhe nevojën e implementimit të marrëveshjeve.
Ato, po ashtu, e kanë theksuar nevojën për pjesëmarrje sa më të gjerë të mundshme në zgjedhjet lokale në Kosovë, ,ditën e diel, duke thënë se “në këtë kuptim, është i rëndësishëm krijimi i ambientit të domosdoshëm”.
Banorët e Kosovës, ish-provincë e Serbisë, që e shpalli pavarësinë në vitin 2008, dalin në votime më 3 nëntor për t’i zgjedhur zyrtarët lokalë, shkruan Wall Street Journal, dhe vazhdon se për një kohë të gjatë Beogradi e ka kontrolluar pjesën veriore të Kosovës, ku dominojnë serbët etnikë.
Pjesëmarrja e fuqishme nga ky komunitet në zgjedhjet lokale do të sinjalizonte mbështetje për procesin e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia refuzon ta njohë.
Pjesëmarrësit e takimit të grupit Vishegrad4 e kanë shfaqur shpresën për kapërcimin e pengesave në progresin e Maqedonisë në procesin integrues, duke theksuar nevojën për një vendim për fillimin e bisedimeve për pranim.
Grupi V4 ka marrë qëndrim pozitiv ndaj progresit të Shqipërisë dhe ndaj rekomandimeve të Komisionit Evropian, për t’i dhënë vendit statusin e kandidatit për pranim në Bashkimin Evropian, në muajin dhjetor.
Pjesëmarrësit në takim e kanë shprehur përkushtimin e tyre për të ardhmen e Bosnjë Hercegovinës, si pjesë e BE-së, por i kanë theksuar shqetësimet lidhur me mungesën e progresit në rrugën e saj evropiane.
Shtetet anëtare të grupit Vishegradi 4 thanë se mbeten të përkushtuara për dhënien e ndihmave konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor, po kanë shtuar se sundimi i ligjit dhe qeverisja demokratike mbesin çështje madhore për rajonin në rrugën për pranim në Bashkimin Evropian, përfundon artikulli në Wall Street Journal.