Valon Murtezaj, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka ngritur një reagim karshi sitatës politike në vend.
Situata e tillë sipas vlerësimit të Murtezajt, është e dëmshme për Republiken e Kosovës.
Shkrimi i plotë i ti në Facebook:
Situata në Kosovë, e kam fjalën veçanërisht në funksionimin e demokracisë në Kuvend është shumë e rënduar. Çfarë po shohim në Kuvendin e shtetit tonë janë të dhimbshme dhe të papranueshme.
Kjo është shumë e dëmshme për Republikën e Kosovës, për shtetin e ri, për vendin tonë. Nuk është vetëm për imazhin e Kosovës jashtë. Eshtë për shfaqjen e seriozitetit të pamjaftueshëm, apo më saktë mungesës së këtij serioziteti për të ndërtuar shtetin përbrenda. Kjo pastaj reflektohet jashtë, dhe në rrugën për tu integruar në Evropë. E vetmuar Kosova nuk mund të ec përpara.Sjelljet e këtilla në Kuvend e dëmtojnë rëndë demokracinë, sot, dhe krijojnë precedentin më të rrezikshëm për të ardhmen e demokracisë dhe të funksionimit të shtetit.
Le të kujtojmë që sa herë ka pasur sjellje të papërgjegjshme brenda, sa herë nuk ka pasur koncensus dhe racionalitet brenda faktorit shqiptar, dëmet i janë shkaktuar Kosovës. Kujtojeni Rambujenë, përçarjet në luftë, shkatërrimet e marsit 2004. Këto situata duan ti shohin armiqtë e Kosovës.
Këto dhe të tjera, kanë bërë që ne të vonohemi shumë, dhe vazhdimisht të bëjmë koncesione më të mëdha. Po të mos ishin këto, pavarësia do mund të shpallej që më 2003. Në vend të lëvizim pa viza me 2010, a duam kjo të bëhet me 2016, apo edhe më vonë? Në vend të integrohemi në Evropë me 2025, kur duam të integrohemi ? Në 2035? Apo të jemi edhe më të vonuar?
Historia përsëritet, po ne duhet të mësojmë nga këto përsëritje. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Dhuna, jo stabiliteti, pasiguria, në këtë moment do të ishin shkatërruese për Kosovën.
S’kisha dashur kurrë që sot ti shkruaj këta rreshta. Kisha dashur të shkruaj diçka për të rinjtë e Kosovës, për sukseset e tyre brenda dhe jashtë Kosovës, të shkruaj për sportistët dhe artistët, për ndikimin tonë nëpër botë.
Unë kam besim në popullin e Kosovës, në institucionet e Kosovës, në të zgjedhurit e popullit, se këto do të tejkalohen shpejt, dhe debati e dialogu konstruktiv, bazuar në vlerat dhe kornizat demokratike do të vendoset.