Lajmet e fundit

Varësia politike e agjencive të pavarura

Në Kosovë janë gjithsejtë 37 agjenci të pavarura, të cilat edhe pse emërtimin e kanë të tillë, prapë sfidë kryesore mbetet trajtimi i tyre si pushtet i ndarë.

Kështu u tha në tryezën me temë “Funksionalizimi i punës së Agjencive të Pavarura”, organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i Institutit INDEP tha se edhe agjencitë që janë jofunksionale duhet të funksionalizohen, duke shtuar që në Kosovë janë 8 sosh.

“Në Kosovë janë 8 agjenci jofunksionale për shkak të mungesës së bordit. Shembull Autoriteti i Konkurrencës është jofunksional që nga nëntori 2013. E përmenda këtë për faktin që me MSA kjo agjenci duhet të jetë funksionale”, tha Ejupi.

Për Ambasadën Britanike prioritet mbetet luftimi i korrupsionit.

Ruairi O’Connell, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, tha që në raportet e dala nga shoqëria civile janë gjetur shumë shkelje në punën e këtyre agjencive. Ai shprehu shqetësim edhe në emërimin e anëtarëve të bordeve nga qeveria.

“Ne kemi përcjellë vendimin e qeverisë për emërimin e bordeve, ku janë bërë shumë shkelje. Thuhet shprehimisht në ligj që zyrtarët e emëruar në borde të kompanive publike, nëse kanë pasur aktivitet politik brenda 36 muajve, nuk mund të emërohen në këto pozita”.

Ai shtoi që me ratifikimin e MSA-së Kosova do te konsiderohet si çdo shtet tjetër, dhe pa njerëz profesionistë, ajo rrezikohet nga korrupsioni dhe dështimi drejt BE-së.

“Lufta kundër nepotizmit dhe korrupsionit është e domosdoshme, dhe u rekomandoj që kjo do të bëhet realitet”, tha ai.

Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, u pajtua edhe me brengat e ambasadorit, duke thënë se u nevojitet monitorim sistematik.

Gjatë tryezës u prezantua edhe punimi “Balancimi mes pavarësisë dhe llogaridhënies: praktikat ekzistuese dhe rekomandime për mbikëqyrjen parlamentare të agjencive të pavarura”.

Blerim Vela nga INDEP, metaforikisht i quajti këto agjenci “zorrë qore brenda qeverisë”. Ai shtoi që kuvendi duhet të kujdeset për pavarësinë e tyre.

“Gjatë hulumtimit kemi gjete se llogaridhënia nuk mund të kërkohet nëse nuk sigurohet pavarësi funksionale ma parë”.

Vela iu referua raportit te OSBE-së për funksionimin e agjencive të pavarura duke listuar tri pika kyçe, mbi të cilat mund të arrihet pavarësia. “Duhet pavarësi financiare, pavarësi në emërim dhe mbajtjen e pozitës dhe pavarësi në vendimmarrje dhe këto të respektohen nga organet tjera”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.