Sot dhe nesër do të vazhdojnë bisedimet teknike në Bruksel, ku temat kryesore do të jenë liria e lëvizjes, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, kthimi i dokumenteve kadastrale dhe funksionimi i zyrave ndërlidhëse.
Fokusi i bisedimeve është vlerësimi i gjendjes në zbatimin e disa prej marrëveshjeve ku janë shënuar ngecje dhe zgjidhjet e mundshme, ndërsa temat kryesore do të jenë liria e lëvizjes,marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, kthimi i dokumenteve kadastrale dhe funksionimi i zyrave ndërlidhëse. Në takimin për çështjen e diplomave universitare do të marrë pjesë edhe ministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Arsim Bajrami.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, në këto takime, Qeveria do të paraqes qëndrimet e saj për problemet e krijuara nga Serbia në zbatimin e marrëveshjeve në fjalë si dhe do të kërkojë përshpejtimin dhe zbatimin e plotë dhe cilësor të këtyre marrëveshjeve duke theksuar rolin e Bashkimit Evropian si mjaft të rëndësishëm për konsolidimin dhe progresin e këtij procesi.
Takimet do të mbahen me 28 dhe 29 shtator 2015. Për secilën nga temat që do të bisedohen, opinioni do të njoftohet për rrjedhat dhe rezultatet e bisedimeve.