Katër deputetët opozitarë të cilët dyshohet se kanë hedhur bombola gazi në dy seanca parlamentare të Kuvendit të Kosovës nuk janë paraqitur në prokurori përkundër thirrjes publike që këta të fundit kanë bërë ndaj tyre.
Deputetë e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli si dhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi dyshohen për veprat penale të shkaktimi të rrezikut të përgjithshëm, dhe përdorimit të armës.
Kurti ishte ndaluar nga policia të hënën e kaluar për t’u intervistuar nga hetuesit rreth ngjarjeve në Kuvend dhe ishte liruar 3 orë më vonë. Në ndërkohë, Prishtina ishte përshkuar nga protesta e përleshje të mbështetësve të opozitës dhe policisë.
E Prokuroria e Shtetit tha për KALLXO.com se ndaj deputetëve Kurti dhe Haxhiu është caktuar seanca ndërsa për deputetët Topalli dhe Kadaj- Bujupi pritet që të caktohet në ditët në vijim.
“Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, deputetëve Kurti dhe Haxhiu, u ka dërguar ftesa për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes më datën 22 tetor 2015 për të dhënë deklaratat e tyre lidhur më dyshimet që ju vihen në barrë. Ndërkaq deputetëve Kadaj-Bujupi dhe Topalli pritet t’u caktohet data se kur duhet dhënë deklaratat e tyre para prokurorit dhe pastaj u dërgohen ftesat nga Prokuroria”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Prokurorisë së Shtetit.
Prokuroria ka bërë të ditur se në rast se deputetët Kurti dhe Haxhiu nuk paraqiten në prokurori më datën 22 tetor atëherë prokuroria do të lëshojë urdhër arrest për ta.
Por dy deputetët, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu nuk e kanë ndërmend të paraqiten në prokurori.
“Unë nuk do t’i përgjigjem ftesës së Policisë sepse është absurde për veprimet politike në mbrojtje të Kuvendit dhe Republikës të kërkohemi me ngulm dhe kjo nuk ka fare të bëjë me drejtësinë”, tha deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu për KALLXO.com.
Ajo tha se janë qindra raste te krimeve e korrupsionit të pushtetarëve e familjarëve të tyre dhe nuk ka asnjë ndjekje penale.
“Ne do të donim t’i shihnim organet e drejtësisë me këtë intensitet të përkushtimit të merren me zyrtarët e korruptuar që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër…”, deklaroi deputetja e Vetëvendosjes.
Haxhiu tha se kryeministri Mustafa “e ka gabim” nëse mendon se me forma të tilla të kërcënimit do ta zmbrapsë opozitën.
E në emër të Albin Kurtit foli Zyra për Informim e Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas këtyre përgjigjeve, Kurti dhe deputetët tjerë të VV-së nuk do t’i përgjigjen thirrjes së prokurorisë.
“Deputetët nuk do t’iu përgjigjen kërkesave të Policisë dhe Prokurorisë, për shkak se është dëshmuar se këto janë politike. Ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje të dëmshme për Republikën e Kosovës”, tha për KALLXO.com, Adonis Tahiri nga Vetëvendosje.
Madje, sipas tij, veprimet e deputetëve si hedhja e gazit lotsjellës në dy seancat parlamentare janë veprime legjitime përballë pushtetit që, sipas tij po tenton ta instalojë Serbinë në Kosovë dhe t’i japë Malit të Zi territore të Kosovës.
E deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ishte më i qartë sa i përket thirrje së prokurorisë për rastin e tij.
Ai tregoi se nuk ka marrë ftesë të prokurorisë por, sipas tij, organi hetues e ka kërkuar në Kuvend dhe në seli të Vetëvendosjes në Prishtinë.
“Të premten kam qenë jashtë vendit dhe më ka thirrur një person i cili nuk është paraqitur me emër. Kam marrë telefonin dhe i kam thënë se jam jashtë vendit. Më ka pyetur ku je, cila është adresa jote, pra pyetje policore, dhe unë i kam thënë më falni kush jeni ju, tha jam prokurorja. Unë i kam thënë që kthehem të hënën dhe ju tregoj se ku banoj. Ka thënë jo të hënën nuk ka nevojë se vijmë dhe të gjejmë ne. Ka qenë bukur arrogante në diskutim”, tregoi Topalli për KALLXO.com.
Por Prokuroria e Shtetit ka mohuar të ketë pasur një kontakt të tillë.
“Asnjëri nga të pandehurit nuk është kontaktuar nëpërmjet telefonit nga prokuroria, pasi që kjo nuk është mënyra e thirrjeve të rregullta”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Shtetit.
Deputeti Topalli ua ka bërë të ditur prokurorisë se nuk do të paraqitet në këtë institucion edhe nëse ngritin aktpadi ndaj tij.
E Donika Kadaj- Bujupi, deputetja e vetme e AAK-së e cila po hetohet nga prokuroria për hedhje të bombolës së gazit lotsjellës gjatë seancës parlamentare të 15 tetorit nuk është deklaruar për këtë çështje.