Kremlini zyrtar ka njoftuar mbrëmjen e djeshme ndarjen nga jeta në mënyrë të papritur të shefit të Inteligjencës ruse Igor Sergun.
Gjeneral-koloneli rus u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare. Kremlini nuk dha asnjë arsye për vdekjen e tij. Ai ishte një ndër njerëzit më të besuar të Vladimir Putin.
Sergun luajti një rol kyç në aneksimin e Krimesë dhe sulmeve ruse në Siri. 11 muaj më parë ai u ngrit në gradën e Gjeneral-kolonelit nga Putin për shkak të meritave në aneksimin e Krimesë.
Vdekja e tij ishte humbja e dytë e figurave të rëndësishme pranë Putin. Gjenerali Aleksandër Shushukin vdiq në moshën 51-vjeçare para disa javësh pas një problemi me qarkullimin e gjakut.
Sergun është akuzuar nga perëndimi për rrëzimin e avionit të Malaysia Airlines MH17 i cili u rrëzua në Ukrainë duke lënë 298 të vdekur. Detajet e karrierës së Sergun janë sekrete por thuhet se ka shërbyer edhe në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi.
Sergun u vu në krye të Inteligjencës ruse në vitin 2011. Ai akuzoi para pak muajsh perëndimin se po ndihmon në forcimin e Shtetit Islamik.