Sot me datë 09.10.2015 u mbajt Seanca e rregullt e Kuvendit Komunal të Drenasit ku ndër të tjera u diskutua edhe Raporti i Auditimit për vitin 2014. Raport ky, i realizuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.Në lidhje me këtë pikë të rendit të ditës pati diskutime të shumta nga anëtaret e Kuvendit Komunal të Drenasit ku kryesisht u fokusuan tek çështjet e ngritura nga vet Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në lidhje me keq menaxhimin e Buxhetit komunal si dhe rekomandimet e dhëna nga vet auditori.
Më i zëshmi në këtë drejtim ishte Asambleisti i pavarur Vehbi Berisha i cili edhe publikisht pati kërkuar që ky raport të diskutohet në Kuvendin Komunal të Drenasit, pasi që këtë çështje e kishte cek si rekomandim në raport edhe vet Auditori i përgjithshëm.
“Raporti Auditimit të Komunës së Drenasit është hera e parë që po diskutohet në Asamble edhe pse është kërkesë e kamotshme që ky raport të trajtohet nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Drenasit, prandaj nga të gjithë ne e veçanërisht nga ekzekutivi Raporti i Auditimit duhet të merret më seriozisht si dhe propozoj që të hartohet Plani për adresimin e rekomandimeve shumë qartë dhe konkret, lë të dihet kush është përgjegjës për realizimin ose ngecjen në përmbushjen e rekomandimeve si dhe ky plan gjithsesi të sillet në asamble” theksoi Asambleisti i pavarur Vehbi Berisha, i cili tani i përket subjektit politik i formuar së fundmi të quajtur Partia FJALA.
Pas të gjitha diskutimeve në lidhje me këtë pikë, fjalën e mori edhe Kryetari i Komunës së Drenasit Nexhat Demaku, i cili e arsyetoj mos diskutimin e raportit të auditimit në vitet e kaluara duke thënë se ky raport ka qenë publik pasi që është publikuar në faqen zyrtare të auditorit të përgjithshëm ku kanë qasje të gjithë qytetarët. Vlen të theksohet se, Raporti i Auditimit për Komunën e Drenasit i vitit 2014 përmban gjithsejtë 18 rekomandime ku disa prej tyre janë me prioritet të lartë. Raporti i auditimit të Komunës për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2013, pati rezultuar me 20 rekomandime. Ndërsa deri në fund të auditimit për vitin 2014, 6 rekomandime janë adresuar plotësisht, 5 rekomandime janë adresuar pjesërisht dhe 9 rekomandime nuk janë adresuar ende nga Komuna e Drenasit.