Largimi i shumëpërfolur i të ashtuquajturit ‘Park i paqes’ mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, nuk ka ndodhur të shtunën, edhe pse punimet për revitalizimin e urës kanë filluar rreth orës 16:00.
Heqjen e këtij parku, autoritetet e komunës veriore të Mitrovicës e kushtëzojnë me këmbëngulësi që në kufijtë administrativë të përfshijnë Suhodollin, Gushavcin dhe Vinarcin, fshatra këto të banuara me shumicëshqiptare.
Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, ka thënë sot për mediat serbe se pa një marrëveshje për kufijtë, punimet në urë mund të fillojnë, por jo edhe largimi i parkut.
Në anën tjetër, kryetari i jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur sot para gazetarëve se memorandumi me kryetarin Rakiq edhe pas 48 orësh nuk është nënshkruar, por punimet do të fillojnë me mbështetje ndërkombëtare.
Në një prononcim të tij para gazetarëve, Bahtiri potencoi se fjala është mbajtur nga ai, BE-ja dhe SHBA-ja, sa i përket fillimit të punimeve në urë që ishte paraparë të ndodhë sot.
“Po shpresoj shumë se kjo urë do të përfundoj ashtu siç jemi marrë vesh deri në qershor dhe qytetarët e Mitrovicës, Kosovës, por edhe të Serbisë të kalojnë lirshëm këtu pa asnjë pengesë…kam punuar shumë për këtë, duke normalizuar gjendjen politike në Mitrovicë… Punët fillojnë sot dhe në qershor do të përfundojnë, se a do fillojnë nga mesi apo nga skaji i jugut ose veriut, është çështje e operatorit”, ka thënë Bahtiri.
Ndryshe, sipas Pakos së Ahtisaarit, Ligji për kufijtë administrativë të komunave dhe hartave zyrtare, të tri fshatrat të banuara me shqiptarë i takojnë Mitrovicës Jugore.