Eksperti i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka vlerësuar se bashkësia ndërkombëtare do ta ketë rolin kryesor për krijimin e një ambienti të sigurt dhe demokratik në ditën e zgjedhjeve në veri.
“OSBE-ja, EULEX-i dhe KFOR-i do ta kenë barrën kryesore në ofrimin e një ambienti të sigurt ditën e zgjedhjeve në veri”, ka deklaruar Maloku në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka thënë se pas 3 nëntorit MPB-ja duhet të merret seriozisht me ristrukturimin dhe organizimin e policisë në veri. Maloku ka thënë se zgjedhjet në veri nuk mund të dëmtohen nga strukturat radikale që veprojnë atje.
“Nuk besoj se do të ketë incidente të cilat do ta destabilizojnë gjendjen në Kosovë. Çfarëdo incidenti që mund të shkaktojnë grupet radikale në veri, sipas mendimit tim, nuk do të mund t’i vënë në pikëpyetje zgjedhjet atje. Zgjedhjet në pikëpyetje mund t’i vënë partitë politike dhe komisionarët në rast se sillen sikurse në zgjedhjet e kaluara. Në rast se do të ndodhë ndonjë incident në veri, adresa do të dihet, pra do të jenë grupet radikale të cilat janë kundër Kosovës. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se strukturat radikale në veri mund të shkaktojnë probleme edhe në të ardhmen. Të jem më i qartë, strukturat radikale mund ta lëndojnë procesin zgjedhor, por assesi ta dëmtojnë procesin”, është shprehur Maloku.
Ai ka kërkuar nga institucionet e sigurisë mos të bien pre e askujt në ditën e zgjedhjeve lokale, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës.
“Institucionet e sigurisë ditën e zgjedhjeve nuk duhet të bien pre e askujt. Ato nuk duhet të fiksohen nga askush. Këto institucione duhet të organizohen mirë dhe nuk duhet të lejojnë asnjë parregullsi më 3 nëntor”, është shprehur Maloku.