Politika e ka sjellë Kuvendin në gjendjen aktuale dhe vetëm ajo duhet ta zgjidhë atë, ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetës, të dielën, Veseli ka deklaruar se politika është ajo që duhet ta paguajë çmimin, por assesi dhe në asnjë mënyrë qytetarët.
“Qytetarët e Kosovës nuk guxon askush t’i manipulojë me retorikë patriotike e demagogji për qëllime të thjeshta politike”, ka thënë Veseli për “Kohën Ditore”. Ai ka shprehur besimin në pjekurinë e qytetarëve të Kosovës për të mos rënë pre e politikave dhe politikanëve grindavecë.
Gjithë atë çfarë po ndodh rreth Kuvendit, Veseli i ka kualifikuar “luftë për pushtet” dhe përpjekje për të “provokuar situatën” drejt zgjedhjeve të parakohshme, “të cilat, përveç kostos financiare, do t’ia humbnin edhe një vit të plotë vendit dhe rrjedhimisht do të shkaktonin edhe ngadalësimin e drejtpërdrejtë të proceseve vitale që kanë të bëjnë me integrimin dhe zhvillimin ekonomik”.