Lajmet e fundit

Veseli: Këtë vit, Kosova u ballafaqua me testin e funksionimit si shtet demokratik dhe ligjor

Me rastin e përmbylljes njëvjeçare të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari Kadri Veseli ka organizuar sot pritje për të gjithë gazetarët, xhiruesit dhe fotoreporterët e akredituar në Kuvendin e Kosovës, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Me këtë rast, kryetari Veseli ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit medialë dhe ata të shoqërisë civile për punën e tyre të vështirë e të palodhshme në mbulimin korrekt të aktiviteteve të Kuvendit, në funksion të informimit të publikut me punën e institucioneve, përkatësisht përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli e konsideroi vitin 2015 një vit të vështirë, si për funksionarët institucionalë, ashtu edhe për përfaqësuesit e mediave.

Veseli falënderoi të pranishmit për përkushtimin e dëshmuar si media të lira dhe raportimin korrekt mbi zhvillimet në vend.

“Duke lënë anash të gjitha mospajtimet politike në mes pozitës dhe opozitës, duhet të pranojmë se këtë vit, Kosova u ballafaqua me testin e funksionimit si shtet demokratik dhe ligjor. Duhet të jemi realistë, këtë test, ende nuk e kemi kaluar. Kuvendi i Kosovës u ballafaqua me një situatë të paprecedent, jo vetëm për parlamentarizmin tonë, por edhe më gjerë”, theksoi kryetari Veseli, ndërsa shtoi se pengimi i punës së Kuvendit me veprime jo parlamentare, ka shkaktuar dëme në shumë drejtime: është dëmtuar demokracia parlamentare e Kosovës, ende e brishtë, është dëmtuar imazhi i Kosovës te partnerët ndërkombëtarë dhe te qytetarët, me praktikën e thyerjes së ligjeve pikërisht në vendin ku miratohen ligjet.

Kreu i Kuvendit tha se është humbur kohë dhe energji në një agjendë tërësisht negative dhe depresive, duke lënë anash interesin më primar të qytetarëve të Kosovës – zhvillimin ekonomik, duke lëkundur, në të njëjtën kohë, partneritetin me miqtë dhe mbështetësit e shtetit tonë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore.

“Është e qartë, se në vitin që po vjen, duhet të bëjmë, saktësisht, të kundërtën e këtij bilanci negativ. Pra, jo bllokadë e pozicione rigjide, por dialog në mes pozitës dhe opozitës, për të gjitha shqetësimet e ngritura, dilemat dhe dyshimet. Jo argumente të forcës fizike, por fuqi të argumenteve politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo qëndrime arrogante karshi partnerëve ndërkombëtarë, por thellim i partneritetit me ta”, tha kryeparlamentari Veseli.

“Vizioni ynë është integrimi euro-atlantik, ndërsa partneriteti ynë është bota perëndimore”, tha në vazhdim kryetari Veseli, ndërsa shtoi se dëshmia më e mirë e kësaj janë liria, pavarësia dhe shtetndërtimi ynë.

Duke folur për raportet e Kuvendit me mediat dhe publikun në përgjithësi, kryetari Veseli theksoi se që në fillim të punës së tij si kryetar i Kuvendit, është udhëhequr nga platforma e transparencës parlamentare.

“Transparenca është parim demokratik, por ky parim nuk mund të përmbushet pa punën e mediave të lira dhe organizatave të shoqërisë civile. Në këtë drejtim, raportin e Kuvendit me media dhe shoqërinë civile, e kam parë vazhdimisht si raport partneriteti. Jam i lumtur që pas 1 viti të punës, të konstatoj se zgjerimi i qasjes së mediave në punën parlamentare dhe krijimi i hapësirave të reja për prezencën e shoqërisë civile në punën e Kuvendit të Kosovës, i ka ndihmuar shumë zhvillimit të parlamentarizmit”, potencoi kryetari Veseli, duke shprehur përkushtimin që në vitin që po vjen, të ecet më tutje në këtë drejtim.

Ai tha se transparenca institucionale, është angazhim i përditshëm dhe ka shumë gjëra që duhen ndryshuar dhe bërë më mirë.

Në këtë solemnitet, në emër të komunitetit të gazetarëve, foli kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, ndërsa nga shoqëria civile, përfaqësuesi i KDI-së, Albert Krasniqi.

Shabani dhe Krasniqi çmuan bashkëpunimin midis gazetarëve dhe shoqërisë civile në njërën anë, dhe Kuvendit të Kosovës, në anën tjetër, duke theksuar, njëkohësisht, përkushtimin për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, në funksion të kultivimit të mëtejmë të demokracisë parlamentare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.