Gjatë vizitave të djeshme në familjet e besimit katolitik, për urime të Krishtlindjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, qëndroi edhe në qytetin e Klinës.
Pas vizitës në disa familje, Veseli u ndal në ambientet e kishës “Zoja e Këshillit të Mirë“, ku u prit nga Don Lenc Sopi, meshtar i kësaj kishe, dhe imami i Klinës, Hetem Desku.
Me këtë rast Veseli theksoi se “kjo mënyrë e festimit të përbashkët mes dy përfaqësuesve të dy besimeve tona tregon më se miri për traditën tonë madhështore të bashkëjetesës fetare, traditë që po frymëzon sot njerëz anë e kënd botës, që përpiqen për paqen e mirëkuptimin mes njerëzve”, për të shtuar “ se koncepti i tolerancës është i ngushtë për të përshkruar harmoninë tonë fetare, kjo është harmoni vëllazërore, që ashtu siç e trashëguam të fuqishme nga baballarët tanë, kemi obligim kombëtar e fetar t’ua përcjellim brezave që do vijnë pas nesh”.
Pas Klinës, kryetari Veseli udhëtoi drejt Gjakovës, ku me bashkëshorten e tij mori pjesë në meshën e Krishtlindjeve, e cila u mbajt në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit të këtij qyteti.