Numri i njohjeve për vitin 2015 nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm ishte thënë se do të arrinte në 120, mirëpo kështu nuk doli.
Diplomacia kosovare jo vetëm që dështojë në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në liberalizimin e vizave, të cilat u thanë nga kryediplomati kosovar Thaçi se do të jenë prioritet e tij për këtë vit, ajo pati edhe një dështim tjetër.
Kosova gjatë 2015 arriti të njihet nga vetëm tri shtete, ishuj të vegjël e për të cilat pak kush nga kosovarët ka njohuri për to.
Njohja e parë për vitin 2015 erdhi nga Antigua dhe Barbadua dhe atë me 20 maj.
Është ky një shtet i përbërë nga ishuj që ndodhen në mes të Oqeanit Atlantik dhe Detit të Karaibeve, në jug-lindje të Porto Rikos.
E dy njohjet tjera erdhën në më pak se një muaj për të shënuar kështu edhe fundin e njohjeve për këtë vit.
Ishujt Niue dhe Ishujt Cook ishin dy shtetet që njohën Kosovën dhe atë me 6 dhe 23 qershor. Këta dy ishuj janë pjesë e Mbretërisë së Zelandës së Re e të cilat vetëqeverisën por në asociim të lirë.
Ani pse u deklaruan këto tri njohje nga ministri i Jashtëm Thaçi e nga zyrtarë të tjerë qeveritar, në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme si shtet që njohu Kosovë në mesin e 110 të tjerave është vetëm ai i Antigua dhe Barbadua.
Intensiteti i njohjeve ka rënë që nga dy vitet e para kur Kosovës e njohën shumica dërmuese e shteteve që aktualisht figurojnë në uebfaqen e MPJ-së.
Ndërsa sfiduese vazhdon të mbetet për shtetin më të ri të Evropës njohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, ajo nga Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania. Ndonëse disa herë ishte lobuar për të ndryshuar këtë realitet madje edhe nga miqtë ndërkombëtar të Kosovës, ende nuk ka ndonjë lëvizje në zbutjen e qëndrimit të kësaj pesëshe.