Një numër i madh i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e gati katër muaj thonë se ende nuk i kanë marrë pensionet e tyre.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se veteranët do të presin edhe këtë javë për pensionet e tyre, në të kundërtën ata do të dalin në protestë.
“Veteranët janë të dëshpëruar, kanë kërkesa të ndryshme ngase po habiten se pse po ndodh kjo, ne do të presim edhe këtë javë dhe në rast se nuk ka ndryshime dhe nuk fillojnë me shpërndarjen e tyre ne jemi të detyruar që të organizojmë protestë”, ka thënë Qeriqi për Gazetën Tribuna.
Ai ka thënë se janë mbi 1 mijë invalid të cilët nuk po i gëzojnë pensionet e tyre.
“Një pjesë të invalidëve të luftës të cilët as nuk po munden të aplikojnë ngase nuk kanë përfunduar procedurat e tyre për t’iu lëshuar vërtetimet për të aplikuar për pension. Kemi një pjesë të invalidëve të cilët asnjëherë nuk po e gëzojnë pensionet që u takojnë. Numri i invalidëve mund të jetë mbi 1 mijë që nuk po i gëzojnë pensionet e tyre”, është shprehur Qeriqi.
Ai shprehet i habitur se pse po vepron në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës.
“Ne kemi shumë veteran që kanë aplikuar qysh me kohë që nga tetori, tash po bëhen katër muaj dhe nuk kanë marrë asnjë pension, një pjesë e tyre e kanë marrë nga një, dhe të tjerë nga tri pensione. Çuditem edhe në deklarimet e tyre, në bazë të informatave që kam në departamentin e familjeve të dëshmorëve mungojnë fondet për t’iu dhënë pensionet në anën tjetër disa herë ka dalë ministri I Financave dhe ka thënë se kemi fonde të mjaftueshme, është për tu habitur me këto deklarata të tyre”, ka theksuar Qeriqi.