Pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi ka thënë për mediat serbe se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë hapat tjerë për themelimin e Asociacionit duke respektuar udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese dhe marrëveshjen e Brukselit.
Mirëpo, në Lëvizjen Vetëvendosje shprehen të bindur se Asociacioni nuk do të themelohet. Të paktën kështu ka thënë për Indeksonline zëdhënësi i kësaj lëvizje, Frashër Krasniqi.
“Petrit Selimi dhe në përgjithësi qeveria Mustafa – Thaçi duhet ta kuptojnë që nuk do të themelohet asnjë Asociacion. Ata që e kanë shkelur kushtetutën do të detyrohen të largohen nga qeveria. Nuk guxojmë t’i lejmë në krye të shtetit njerëzit që e shkelin kushtetutën për t’ia përmbushur kërkesat Serbisë”, ka thënë Krasniqi.
Ai më pas ka shtuar se sa më parë që ta kuptojë qeveria që s’do të ketë Asociacion, aq më pak do të paguhet çmim për këtë.
“Nuk do të ketë asociacion. Sa më herët që qeveria e kupton këtë, aq më pak do të paguhet çmim për këtë. Në të kundërtën, situata do të tensionohet dhe do të dal nga kontrolli”, u shpreh Krasniqi.