Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër serbëve, por është kundër politikave hegjemoniste të Beogradit në Kosovë, të cilat po provohet të impelmentohen përmes Qeverisë, ka deklaruar në Info Magazine të Klan Kosovës, nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi.
“Ne nuk jemi kundër serbëve, por jemi kundër politikës së ‘Listës Srbska’ që udhëhiqet nga Daçiqi. Qeveria na solli para faktit të kryer kur i solli në Kosovë marrëveshjet të nënshkruara dhe kemi përdorur çfarëdo mjeti për të mos i lënë të implementohen”.
“Ka mbi tre muaj që ne bëjmë përpjekjet maksimale për të bllokuar jetësimin e dy marrëveshjeve të Brukselit. Kjo vjen si rrjedhë e përpjekjeve tona për të pamundësuar jetësimin e këtyre dy marrëveshjeve”.
Çaushi foli edhe për protestën gjithëpopullore të thirru nga Opozita.
“Pas ngjarjeve të fundit nuk ka kuptim të sillemi njëjtë. Pas arrestimit të gjysmës së opozitës kemi besuar se duhet të thërrasim një protestë, për shkak se nuk besojmë se ka forma të tjera të kundërshtimit”.
“S’ka asgjë më prioritare se sa anulimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe e asaj për Demarkacionin me Malin e Zi. Është kusht që minoritetet të jenë pjesë e institucioneve të Kosovës, por jo në formën e Asociacionit”, pohoi Çaushi.
Ai shtoi se Opozita e di se mjetet që përdorë mund të mos jenë demokratike, por, sipas tij, janë të domosdoshme.
“Ne kemi përdorur edhe mjete jo-demokratike, por i kishim të imponuara. Qeveria po tenton që të implementojë projekte hegjemoniste serbe”.