Lajmet e fundit

Vetëvendosje :Të sqarohet sulmi në Gorazhdec, si edhe sulmet ndaj shqiptarëve në veri të vendit

Lëvizja Vetëvendosje! përmes një komunikate  për media, ka bërë thirrje që të saqrohet sulmi në Gorazhdec, si dhe  sulmet ndaj shqiptarëve në veri të vendit.

Kjo është komunikat e plotë nga VV-ja:

As pas dy ditësh prej sulmit të raportuar në fshatin e banuar me shumicë serbe ne Gorazhdec të Pejës, organet e rendit nuk kanë i sqaruar rrethanat e rastit.

Ky rast nuk është i vetmi që ka mbetur pa u sqaruar. Ditët e fundit, sidomos para aktiviteteve të opozitës, ka pasur shumë lajmërime e kërcënime për bomba edhe në Prishtinë, por megjithatë organet e rendit nuk kanë bërë me dije se cilët janë fajtorët.

Duket sikur, pikërisht në këto kohë që opozita është bashkuar në aksion për të ndalur marrëveshjet e dëmshme, dikush është i interesuar të mbjellë frikë në Kosovë dhe të ashpërsojë marrëdhëniet mes komuniteteve etnike.

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj lidhur me këtë rast, sepse për ne çfarëdo sulmi ndaj qytetarëve të Kosovës është i papranueshëm e i dënueshëm. Ne i bëjmë thirrje Policisë që ta hetojë këtë rast sa më parë, dhe të jetë transparente ndaj publikut për të gjeturat.

Po ashtu, presim ta shohim të njëjtin përkushtim nga ana e Qeverisë, e cila e dënoi publikisht këtë sulm, edhe në rastet kur flitet për sulme ndaj shqiptarëve. Hiç më larg se vetëm një ditë më herët para sulmit në Gorazhdec, shqiptarët në veri u penguan tek rindërtonin shtëpitë e tyre.

Mbi-etnicizimi i politikave të sigurisë e i atyre shtetërore është i papranueshëm. Një shtet modern nuk mund t’i trajtojë qytetarët me standarde të ndryshme sipas etnive.

Institucionet e Kosovës duhet të kryejnë gjithnjë e kudo punën e tyre, me të njëjtin standard, që të mos mundësohet kthimi i Serbisë në Kosovë. Serbët që banojnë në Kosovë duhet të marrin kujdesin dhe mbrojtjen nga institucionet e Repubikës së Kosovës dhe nuk është e nevojshme që të kthehet Serbia përmes zyrtarëve të saj me pretekstin e kujdesit ndaj tyre. Pikërisht për këtë na duhet Republika dhe jo “Zajednica”.

9 dhjetor 2015

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

Your email address will not be published.