Nënkryetari i VETËVENDOSJE!-s, Driton Çaushi, mbajti sot konferencë për media ku numëroi vetëm disa nga dështimet e shumta të Qeverisë LDK-PDK-‘Srpska’. Ai tha se Qeveria ka dështuar si në politikën ekonomike, ashtu edhe në politikën e brendshme e në politikën e jashtme.
“Qeveria i ka premtuar hapjen e 200.000 vendeve të punës. Jo vetëm që nuk janë hapur vende pune, por në 2015 mbi 100.000 veta e kanë lënë Kosovën për shkak të varfërisë. Qeveria Mustafa premtoi se deri në qershorin 2015 do të publikonte strategjinë për Trepçën, por nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, edhe pse Trepça është elementi më strategjik i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Fermerët janë braktisur, prodhimet vendore nuk po mbrohen, dhe buxheti për bujqësinë është ulur edhe pse e kanë deklaruar si prioritet në atë që e quajtën program qeveritar. Qeveria Mustafa pati deklaruar se Fondi për Sigurimet Shëndetësore do të jetë gati në Janar 2016, duke përsëritur rrenën e kahmotshme të Hashim Thaçit, i cili pati deklaruar se do të ishte gati në janar 2015. Ndërkohë situata në spitale e në klinika vetëm është përkeqësuar”, tha Çaushi, duke shtuar se me politikat e saj fiskale kjo qeveri ka rritur çmimet e mijëra produkteve, ndër to edhe barnat, duke e rënduar jetën e qytetarëve.
Kjo qeveri ka dështuar edhe në luftën kundër korrupsionit. Prokuroria e policia nuk e ka ndërmarrë asnjë aksion, përkundër denoncimeve të shumta të opozitës. Vetë kryeministri i ka 70 dosje me fakte që provojnë korrupsionin e tij. “Policia dhe organet e rendit janë përdorur për të përndjekur, për të përgjuar, për të shtypur opozitën. Kjo qeveri ia ka dhënë faqen e zezë Kosovës me përdorimin selektiv të forcës, si në vendet diktatoriale. Pavarësisht fjalëve të mëdha dhe premtimeve, ende Kosova nuk ka ushtri. Kjo dëshmon para qytetarëve se Isa Mustafa e Hashim Thaçi janë të nënshtruar ndaj partnerit të tyre qeverisës, Listës ‘Srpska’”, theksoi Çaushi.
Premtimi i përvitshëm, sa herë që afron Viti i Ri, ka qenë Liberalizimi i Vizave. Edhe kësaj radhe, ky premtim doli rrenë. Ndërsa dështimi më i rëndë për Kosovën ka qenë ai në UNESCO ku përgjegjësinë kryesore e mban Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi. Po ashtu prioritet i kësaj qeverisje ishte dhe kalimi me çdo kusht i amendamenteve kushtetuese për Gjykatën Speciale edhe pse Kuvendi i hodhi poshtë ato. Prioritet për këtë qeveri kanë qenë vetëm marrëveshjet me Serbinë. As kodi telefonik, as zhbllokimi i urës në Ibër nuk u mbërritën, edhe pse u propaganduan si arritje.
“Dështimi i qeverisë u dëshmua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Me marrëveshjen e 25 gushtit Isa Mustafa ka nënshkruar 23 shkelje të Kushtetutës. Çfarë duhet të bëjë një kryeministër më shumë se sa shkelja e Kushtetutës, që të kërkohet dorëheqja e tij e menjëhershme? Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nuk e kanë as luksin, as mundësinë që të vendosin për fatin e tyre. Ata kanë vetëm mundësinë të dorëhiqen, ose të përballen me protestat të cilat do të fillojnë në 9 janar, e nuk do të ndalen deri në shkarkimin e tyre”, tha në fund Çaushi.