Lajmet e fundit

Viktima të tjera në brigjet turke

Roja bregdetare turke nisi një operacion shpëtimi sot pasi anije që transportonin emigrantë drejt ishullit grek të Lesbos u përmbysën në dy vende të ndryshme. Autoritetet turke thanë se gjetën trupat e 27 emigrantëve, përfshirë tre fëmijë. Agjencia e OKB-së për imigracionin paralajmëroi se vdekjet në det do të vazhdojnë gjatë dimrit, ndërsa imigrantët vërshojnë drejt Evropës nga deti.

17 nga trupat u nxorrën në distriktin Ayvalik, ndërsa 10 të tjerë u gjetën në disktriktin Dikili.

Vdekjet e fundit tregojnë se shtimi i kontrollit në brigjet turke dhe moti i ftohtë nuk i kanë penguar njerëzit të marrin rrugëtimin e rrezikshëm në anije të vogla, duke nxjerrë në pah se sa i vështirë është misioni i BE-së për frenimin e fluksit.

Roja bregdetare dhe xhandarmëria shpëtuan 12 persona në bregdetin Ayvalik. Një zyrtar tha se tre anije dhe një helikopter po kërkonin për të mbijetuar.

Agjencia e OKB-së për imigracionin tha se moti i keq nuk po e frenon hyrjen e imigrantëve në Evropë nga deti.

“Imigrantët dhe refugjatët vazhdojnë të hyjnë në Greqi me një ritëm prej 2500 njerëzish në ditë nga Turqia, shumë pranë mesatares së dhjetori. Parashikojmë që fluksi i imigrantëve të vazhdojë gjatë dimrit dhe sigurisht që do të vazhdojnë edhe viktimat”, tha Joel Millman zëdhënës i agjencisë gjatë një konference shtypi në Gjenevë.

Në vitin 2015 më shumë se një milion imigrantë dhe refugjatë mbërritën në Greqi nga Turqia përmes detit, mes së cilëve 3.700 gjetën vdekjen. Në një marrëveshje të arritur në fund të nëntorit Turqia premoi të ndihmojë në ngadalësimin e valës së imigrantëve që hyjnë në Evropë në këmbim të ndihmave, vizave dhe rifillim të bisedimeve për anëtarësim në BE. Turqia strehon 2.2 milion sirianë dhe është kritikuar për mungesën e një strategjie afatgjatë për t’u dhënë sirianëve një të ardhme në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published.