Lajmet e fundit

Vinca: Referendumi, zgjidhja më e mirë

Profesori, shkrimtari, dhe publicisti Agim Vinca, në një intervistë për Epokën e re, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Vinca ka thënë se Kosova e kaloi me sukses fazën e parë të pranimit në UNESCO, duke marrë pëlqimin e Bordit Ekzekutiv, edhe pse me rezultat të ngushtë, por ka shprehur frikën e tij se nuk do të ndodhë kështu edhe në fazën e dytë dhe vendimtare, në Asamblenë e Përgjithshme.

“Qeveria e Beogradit ka ndërmarrë një ofensivë diplomatike agresive për ta penguar këtë akt, kurse Prishtina zyrtare kënaqet me disa gjeste e fraza të përgjithshme. Ashtu sikurse për njohjet, edhe për pranimin në UNESCO, më shumë lobon Serbia ‘kundër’ sesa Kosova ‘pro’”, ka thënë Vinca.

Profesor Vinca ka folur edhe për Marrëveshjen e 25 gushtit për krijimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se ky asociacion i ofron komunitetit serb të drejta dhe kompetenca, që i tejkalojnë dukshëm kufijtë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe, madje, edhe dokumentin për statusin e Kosovës, të njohur si “pakoja e Ahtisarit”.

“Shkurt, Marrëveshja e 25 gushtit është tejet e dëmshme për Kosovën. Nuk duhet shumë mend për ta parë se ajo e minon shtetësinë e Kosovës dhe e rrezikon ardhmërinë e saj”, është shprehur Vinca.

Ai ka shtuar se nga bisedimet e Brukselit Serbia pati dy përfitime të mëdha. “Po i afrohet BE-së, në njërën anë, kurse në anën tjetër po i fut thellë tentakulat e saj në Kosovë nëpërmjet të ashtuquajturës ‘Zajednicë’, kurse ne vetëm një MSA. As liberalizim të vizave ende jo”, ka deklaruar Vinca.

Duke folur rreth idesë së referendumit për asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, ai ka thënë se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë.

“Referendumi do të ishte zgjidhja më e mirë. Në vende të ndryshme të botës organizohen referendume për çështje shumë më minore se ç’është kjo e Asociacionit, si dhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”.

Shkrimi i plotë në Epoka e Re.

Leave a Reply

Your email address will not be published.