Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar ndaj akuzave që së fundmi veprimet e opozitës kosovare i krahasojnë me modele të ndryshme ruse për destabilizim të vendeve.
Ymeri përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ‘Zajednica’ i përngjan më shumë se çdo gjë tjetër modelit rus, duke e paralelizuar me instrumentet e kontrollit, që sipas tij zbatohen në Bosnjë përmes Republikës ‘Srpska’ dhe në Maqedoni përmes kontrollit mbi Gruevskin nga Serbia.
Ky është postimi i plotë i Ymerit:
Rusia, e Putini, janë hegjemonistë e imperialist, të cilët dhunshëm, herë përmes kontrollit politik në institucionet qendrore, e herë përmes okupimit faktik të një pjese të territorit, ushtrojnë kontroll gati në të gjitha vendet e ish Bashkimit Sovjetik, e të cilat i ka në kufi.
E njëjtë është Serbia, e Nikoliqi, Vuçiqi e Daçiqi në të. Ushtrojnë kontroll në Bosnje përmes Republikës ‘Srpska’, në Maqedoni përmes kontrollit faktik përmbi Gruevskin e VMRO-DPMNE-në, në Mal të Zi përmes serbëve atje. Në Kosovë përmes strukturave ilegale e kriminale, përmes Listës ‘Srpska’ e në të ardhmen përmes ‘Zajednicës’. I njëjti model sikur i Rusisë.
Ta luftosh modelin rus nënkupton ta luftosh ‘Zajednicën’. Njëkohësisht ta përkrahësh ‘Zajednicën’ është pikërisht ta përkrahësh modelin rus që e përdor Serbia për kontroll politik mbi shtetet që kanë dal nga ish Jugosllavia e që i ka në kufi.
Hashim Thaçi nënshkruan marrëveshje me Daçiqin (njërin prej politikanëve më pro rus në Serbi) për ‘Zajednicën’, dhe pastaj përdor policinë e Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshje. Bashkë me Isa Mustafën, këta janë shndërruar në vegla të ‘modelit rus’ në Republikën e Kosovës.
Agjencia e lajmeve Kosovanews kosovanews.info