Lajmet e fundit

Visar Ymeri: Kosova në duar të mafias

Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë kriminel në sy të Visar Ymerit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këta dy, sipas Ymerit e kanë uzurpuar shtetin me skema të SHIK-ut dhe të krimit të organizuar në të gjitha instancat politike, sociale e ekonomike që do të duhet të ishin të pavarura.

“Pra kanë ndërtuar atë që di të ndërtojë mafia, që anglisht quhet deep state, apo “shtet i thellë”. Pa u shkatërruar ky “shtet i thellë”, nuk mund të ketë asnjë zhvillim pozitiv në Kosovë”, tha ai në intervistë për Gazetën Fjala.

Por mendim ndryshe tani ka për Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn, të cilët një kohë ishin bashkë me Thaçin e Veselin e që për Vetëvendosjen dikur shiheshin si kriminel.

Për bashkëopozitarët Ymeri thotë se nuk mund të jenë fajtor për “shtetin e thellë”.

“E nëse Limaj, Haradinaj, apo Visar Ymeri provohet fajtor për diçka, atëherë duhet të hetohet e të gjykohet, madje edhe të dënohet aty për aty. Por nuk është aspak e drejtë të krahasohet dikush nga opozita me krimet që ka bërë SHIK-u”, tha Ymeri.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në intervistë për Gazetën Fjala, flet për opsionet se si të dilet nga situata e krijuar në vend. Për planet e opozitës për zgjedhje, procesin e privatizimit nga i cili thotë se ka lindur korrupsioni masiv e për raportet e Vetëvendosjes me vëllezërit Devolli.

Gazeta Fjala: Z. Ymeri, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kosovën e pret një dimër dhe pranverë e ngrohtë duke iu referuar zhvillimeve politike në vend.  A do të thotë kjo se kriza politike aktuale nuk është as afër përfundimit?

Visar Ymeri: Kriza politike si faktor kryesor të zgjidhjes, sigurisht që e ka qeverinë. Kështu ndodh pak a shumë në çdo krizë politike të natyrës parlamentare. Është e qartë se ne si opozitë e kemi bërë atë që mundemi të bëjmë, pra kemi bërë kërkesat tona, kemi paraqitur argumentimet për ato kërkesa, dhe kemi paraqitur tre opsione për zgjidhjen e krizës nga ana e qeverisë.

Nga ana tjetër kemi të bëjmë me një qeveri e cila që prej fillimit e ka përjashtuar opozitën prej diskutimit demokratik mbi marrëveshjet. Kjo qeveri i ka nënshkruar marrëveshjet fshehurazi parlamentit. Pra vendime tepër të rëndësishme për këtë vend e për gjithë popullin tonë janë marrë kundër principit të demokracisë, nga fare pak njerëz.

Qeveria nuk i është përgjigjur argumenteve dhe kritikave tona, madje tashmë mund ta themi me plot gojën se qeveria e ka humbur debatin. Prej fillimit kjo qeveri u përpoq të përdorë gënjeshtra për ta mbrojtur “Zajednicën” dhe Demarkacionin, por këto gënjeshtra me kontradiktat e tyre e demantuan vetveten. Sot edhe anëtarët e qeverisë e pranojnë se këto marrëveshje nuk do të duhej të ishin nënshkruar. Por humbja e argumenteve dhe humbja e debatit nuk ka sjellë pasoja në vendimmarrjen e qeverisë, pasi kjo qeveri dhe specifikisht kjo klasë pushtetarësh, nuk udhëhiqet nga argumenti, nga koherenca konceptuale politike, apo as nga ndonjë lloj i moralit. Kjo qeveri edhe kur i humb argumentat, këmbëngul në vendimet e saj.

Qeveria nuk ka pranuar asnjë prej opsioneve tona, të cilat janë: tërheqja prej marrëveshjeve; referendumi mbi marrëveshjet; ose zgjedhje të jashtëzakonshme. Nëse qeveria nuk shprehet shpejt për njërin nga këta opsione, atëherë kriza politike do të zgjidhjet me angazhimin masiv dhe demokratik të qytetarëve nëpër protesta të mëdha, të cilat do të fillojnë në janar. Padrejtësia, mashtrimi, krimi, nuk mund të mbrohen me forcën e policisë, qoftë ajo edhe polici speciale.

Gazeta Fjala: Ju keni paralajmëruar një tjetër protestë popullore në fillim të vitit 2016.  Deri më tani, protestat e organizuara nuk është se e kanë ndryshuar gjendjen.  Do të sjellë diçka të veçantë kjo protestë?

Visar Ymeri: Siç e thashë më lart, protestat do të vazhdojnë në janar dhe do të jenë edhe më masive e më të fuqishme. Koha po kalon, edhe opsionet për qeverinë po ngushtohen. Nëse qeveria nuk reagon shpejt, duke i pranuar kërkesat e drejta të opozitës për dy marrëveshjet e dëmshme të cilat u nënshkruan jodemokratikisht, atëherë qeveria do të bie bashkë me ato marrëveshje.

Gazeta Fjala: Si njëra nga mundësitë për të dalë nga kjo situatë – përveç tërheqjes së nënshkrimeve nga marrëveshjet që ju i konsideroni si të dëmshme – janë përmendur edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.  Sipas jush, si do të dukej skena politike pas këtyre zgjedhjeve dhe a do të garonte opozita e bashkuar në një listë të vetme zgjedhore?

Visar Ymeri: Opozita deri më sot është e bashkuar. Nëse opozita do të vazhdojë të veprojë e bashkuar, siç ka qenë deri sot, fitorja e saj është e pashmangshme.

Duke parë këmbënguljen dhe kokëfortësinë e qeverisë që ta lidhë veten me “Zajednicën” dhe të mos shkëputet në asnjë mënyrë nga ajo, atëherë zgjedhjet po bëhen vërtetë të pashmangshme.

Zgjedhjet e reja kanë për të prodhuar një situatë tërësisht të ndryshme, një qeveri me principe të tjera politike, dhe një ndryshim që do të ndihet edhe realisht e objektivisht në të gjitha sferat jetike që mund të ndikohen nga politika. Sigurisht, do të prodhojnë një qeveri më demokratike, një drejtësi më funksionale, dhe rezultate reale në luftën kundër korrupsionit. Është e kotë të presësh nga qeveria aktuale, që ka kapur gjykatat, prokurorinë e policinë, që të luftojë korrupsionin. Ata nuk do ta luftojnë kurrë vetveten.

Gazeta Fjala: Jakup Krasniqi nga NISMA nuk ka përjashtuar mundësine që në rast të zgjedhjeve, partia e tij të jetë në koalicion me PDK-në.  A mendoni se mund të përsëritet historia – pra që njëra nga partitë opozitare t’i bashkohet pozitës ashtu siç kishte bërë LDK vitin e kaluar?

Visar Ymeri: Opozita aktualisht është bashkuar rreth një kauze që mbështetet nga shumica e popullit, e që është ndërtimi i një Republike sovrane, të barabartë e të drejtë, pa ndarje etnike e republikë serbe brenda, dhe pa tkurrje të territorit përmes demarkacionit me Malin e Zi. Ky nuk është bashkim për pushtet, por bashkim për Republikën.

Bashkimi ynë pra, është për një ide që është përtej nesh. Rrjedhimisht, besnikëria jonë, është besnikëri ndaj asaj ideje dhe përcjellet edhe me besnikëri ndaj njëri-tjetrit. Nuk do të ketë ndarje të opozitës sepse secili nga ne është i vetëdijshëm mbi dëmin që do t’i shkaktohej vendit nëse kjo do të ndodhte. Pastaj, secili nga ne po ashtu jemi të vetëdijshëm që koalicionet, sikur ky aktuali, që bëhen për pushtet e pozita por jo për shtet dhe zhvillim, nuk do të jenë asnjëherë funksionale dhe vazhdimisht do të përballen me rezistencë popullore.

Gazeta Fjala: Në disa raste juve iu referohen si ‘kryetar formal’ i Lëvizjes Vetëvendosje duke pasur parasysh ndikimin e madh të z. Albin Kurti në partinë që ju drejtoni.  Ju pengon kjo?

Visar Ymeri: Nuk mund të më pengojë kjo, këto janë formula që i shpikin edhe i përdorin njerëz të cilët besojnë në një farë natyre konspirative të organizimeve politike. Në VETËVENDOSJE! priremi të udhëhiqemi nga bashkëpunimi, solidariteti dhe transparenca. Hierarkia jonë e brendshme ekziston vetëm për shkak se është e domosdoshme, e jo për shkak se e duam atë. Pra, ekziston posti i kryetarit dhe organet e ndryshme për të ndarë punë e përgjegjësi, e jo për shkak se dikush e do apo e adhuron pushtetin e postin.

Kurti është një aktivist i palodhur e i gatshëm për sakrifica, e puna e tij intelektuale e sakrificat e tij prej idealisti sigurisht që e ndikojnë Lëvizjen. Nuk ka konkurrencë të brendshme në këtë aspekt, përkundrazi, ka mirëkuptim, ka shoqëri, ka barazi, ka bashkëpunim në sakrificë, ka solidaritet në aktivitet. E di që ata të cilët janë mësuar me materializmin vulgar nëpër partitë e vjetra e kanë vështirë ta kuptojnë frymën e brendshme të Vetëvendosjes. Por ne jemi ndryshe, dhe besojmë te ky ndryshim.

Gazeta Fjala: A ka hequr dorë Vetëvendosje nga rishikimi i procesit të privatizimit në Kosovë?

Visar Ymeri: Absolutisht jo. Procesi i privatizimit është procesi prej të cilit ka lindur korrupsioni masiv i cili sot ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Ne do të hetojmë proceset e privatizimit, dhe nëse aty ka pasur shkelje, apo nëse evidentohet që privatizimet kanë qenë të kundërligjshme, atëherë pasuritë e fituar në mënyrë korruptive do të konfiskohen, të korruptuarit do të dënohen, dhe pasuria që i është vjedhur publikut, do t’i rikthehet.

E ajo çka është më e rëndësishme, ky privatizim pa koncept nuk ka sjellë sukses. Nuk e kemi asnjë rast të suksesshëm të privatizimit në Kosovë, ku pas privatizimit industria është zhvilluar. Përkundrazi, pas privatizimit industria është mbyllur, duke prodhuar papunësi. Ne e kemi një program të detajuar ekonomik, që për disa sektorë strategjikë dhe për ato që janë monopole natyreore, programi jonë parasheh angazhimin e kapitalit shtetëror. Po ashtu, ne parashohim nxitjen e investimeve private përmes bashkëkapitalizimit të iniciativave publiko-private, përmes subvencionimit dhe politikave fiskale favorizuese. Por, një ekonomi tërësisht e privatizuar, pra një dogmatizëm neoliberal si ky i qeveritarëve tanë, sigurisht që do të ndalet sepse është i dështuar në Kosovë e në vende të tjera.

Gazeta Fjala: Patët filluar procesin për zbardhjen e keqpërdorimeve në Fabrikën e Amortizatorëve. Përse nuk e vazhduat?

Visar Ymeri: Nuk e kemi ndalur këtë proces, por politikisht tashmë diskutimi publik është i përqendruar në çështjet e marrëveshjeve të dëmshme për Republikën, të cilat kanë prodhuar edhe krizën politike. Sapo të zgjidhet kjo krizë, gjë për të cilën jemi optimistë, do të vazhdojë zbardhja e keqpërdorimeve aty, si edhe në vendet e tjera.

Gazeta Fjala: A u dorëzua Lëvizja Vetëvendosje para vëllezërve Devolli?

Visar Ymeri: Nuk e kuptoj këtë pyetje. Përse do të duhej të dorëzohej Lëvizja përballë disa biznesmenëve? Neve nuk kemi relacione favorizuese apo armiqësuese me biznesmenë, sepse nuk i kërkojmë askujt para e as nuk i premtojmë financime apo mbrojtje. Lëvizja Vetëvendosje  edhe kur bën fushata për mbështetje financiare prej qytetarëve, kurrë nuk pranon shuma të mëdha, të cilat do të mund të shkaktonin dorëzim apo “blerje”. Prej askujt nuk kemi pranuar të blihemi, ndaj askujt nuk jemi shitur, askush nuk na kontrollon, dhe para askujt nuk dorëzohemi dhe nuk ka nevojë të dorëzohemi. Bashkëpunojmë me këdo që ka dëshirën, vullnetin, dhe synimin e mirë politik. Dhe mendojmë se të gjithë qytetarët, përfshi edhe vetë anëtarët e Lëvizjes, do të duhej të trajtoheshin njësoj para ligjit. Sot kjo nuk ndodh, se ligji ka disa standarde kur është në dorën e Thaçit, Mustafës dhe Veselit. Por kur të vijë Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ligji ka për të qenë me një standard, e ka për të trajtuar njësoj pavarësisht përkatësive politike, apo pavarësisht shtresës ekonomike. Askush nuk do të jetë i përjashtuar prej drejtësisë për shkak se është i pasur.

Gazeta Fjala: Përse sipas Lëvizjes Vetëvendosje, janë kriminel Kadri Veseli e Hashim Thaçi?

Visar Ymeri: Sepse këta persona kanë uzurpuar, me skema të SHIK-ut dhe të krimit të organizuar të gjitha instancat politike, sociale e ekonomike që do të duhet të ishin të pavarura. Këta kanë kapur me njerëzit e tyre policinë, arsimin, shëndetësinë, prokurorinë e gjykatat. Këta kanë ndërtuar një shtet në hije, i cili vepron paralel dhe në bashkëpunim direkt me shtetin e dukshëm. Pra kanë ndërtuar atë që di të ndërtojë mafia, që anglisht quhet deep state, apo “shtet i thellë”. Pa u shkatërruar ky “shtet i thellë”, nuk mund të ketë asnjë zhvillim pozitiv në Kosovë.

Gazeta Fjala: A janë të tillë edhe Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj, pasi të katërt janë akuzuar nga VV për të kaluar kriminale?

Visar Ymeri: Limaj e Haradinaj nuk mund të jenë fajtor për “shtetin e thellë”, pasi ky i fundit është një krijim ekskluziv i SHIK-ut. E nëse Limaj, Haradinaj, apo Visar Ymeri provohet fajtor për diçka, atëherë duhet të hetohet e të gjykohet, madje edhe të dënohet aty për aty. Por nuk është aspak e drejtë të krahasohet dikush nga opozita me krimet që ka bërë SHIK-u. Po flasim këtu për organizatën më kriminale që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovën e pasluftës.

Unë po e ripërsëris se me z. Haradinaj dhe z. Limaj, na bashkon kauza e njëjtë. Ne i kemi bërë thirrje të gjithëve që t’i bashkohen kësaj kauze. Është shumë mirë për Kosovën që në përpjekjen për ta mbrojtur atë, nuk është vetëm një subjekt por janë bërë bashkë disa subjekte. Kjo e ka fuqizuar tej mase përpjekjen tonë dhe ky bashkim do ta sjell pashmangshëm fitoren e kauzës sonë.

Gazeta Fjala: Përse deri më tani liderët e opozitës, përfshirë edhe juve nuk keni gjuajtur gaz në Kuvend, derisa këtë veprim e kanë bërë shumë deputet të tjerë?

Visar Ymeri: Kjo ka qenë vetëm çështje e vendimeve të atypëratyshme. Liderët e opozitës nuk i ikin aksionit, dhe ata janë duke u angazhuar maksimalisht për protestat e 9 janarit.

Gazeta Fjala: Si e vlerësoni qeverisjen e Vetëvendosjes në Prishtinë?

Visar Ymeri: Është një qeverisje shembullore, duke patur parasysh bllokimin e madh që kanë pasur nga qeveria qendrore, dhe sabotimin që ka pasur nga asambleistët e PDK dhe LDK.

Komuna e Prishtinës e ka treguar se çfarë do të thotë të ndalësh korrupsionin, si dhe ka ndalur mafian më të rrezikshme në Prishtinë, që është mafia e ndërtimit. Në të njëjtën kohë ka patur shumë investime infrastrukturore në rrugë e trotuare, të cilat kanë shkuar deri në fshatrat më të largëta, si dhe në lagje të anashkaluara të qytetit. Nuk po shtrohet më asfalt elektoral si ai i Mustafës, i cili për dy vjet është bërë gropë.

Po ashtu Komuna ka sjellë një politikë të re në arsim, janë shtuar çerdhet, e me fëmijët ka një qasje më solidare, duke i ofruar edhe një shujtë cilësore. Kjo është shumë e rëndësishme duke patur parasysh shkallën e lartë të varfërisë në këtë qytet.

Qasja ndaj publikut është tërësisht e ndryshuar. Njerëzit mbarojnë punë shumë shpejt me dokumentat e tyre në Komunë, me kulturë, pa ryshfet, me transparencë. Mendoj se Komuna e Prishtinës vlerësimet i ka marrë edhe ndërkombëtarisht, kështu që sado të zgjatemi, nuk do të themi mjaft për ta vlerësuar atë.

Gazeta Fjala:  A e kontrolln VV punën e Shpend Ahmetit në kryeqytet dhe a përziheni edhe ju në tenderët e komunës?

Visar Ymeri: Vetëvendosje nuk kontrollon, por bashkëpunon edhe ndihmon. Aktivistët e Vetëvendosjes janë në dispozicion të Komunës për të bërë punët më të vështira, ato që ballafaqohen me kërcënime e me rreziqe, ato që duan shumë mund, e që paguhen shumë pak.

Sa për tenderët ato nuk i kontrollon as Lëvizja Vetëvendosje as Komuna, por komisionet përkatëse dhe rregullat e prokurimit. Nuk ka ndonjë tender që të mos ketë qenë tërësisht transparent dhe në zbatim të kushteve të prokurimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.