Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një statusi në Facebook ka thënë se është një lajm i keq mosliberalizimi i vizave.
Ymeri është shprehur se trajtimi i Kosovës nga BE-ja është duke ndryshuar, por jo për të mirë.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Ymerit:
“Mosliberalizimi i vizave është lajm i keq për qytetarët e Republikës së Kosovës. Regjimi i vizave është diskriminim në bazë të shtetësisë. Si diskriminim, natyrisht që është në kundërshtim me vlerat universale, e të drejtën për lëvizje të lirë dhe komunikim gjithëpërfshirës.
Megjithatë vendimet e tilla, si ky i Këshillit Evropian, e kanë edhe dimensionin e vet politik. Qasja e BE-së ndaj Kosovës në mënyrë rapide po ndryshon për të keq. Po të gjykohej vetëm në bazë të standardeve dhe kritereve strikte ky ndryshim qasje edhe do të kishte kuptim. Por kur e sheh se si përkëdhelet Serbia, atëherë kjo bëhet e papranueshme.
Republika e Kosovës përherë e më shumë po shihet si entitet për dialog (me Serbinë) e jo si shtet sovran me subjektivitet të vetin. Dhe këtu na ka sjellë kjo mendësi politike shtetrrënuese që po e shohim të mbijetojë e fuqizohet në secilën Qeveri të Republikës. Mendësi e cila bazohet në nënshtrim politik në njërën anë, e rritje të krimit e korrupsionit si kundërshpërblim për nënshtrimin në anën tjetër.
Kështu po degradon shteti. E një shtet i degraduar nuk ka pastaj kredibilitet negociimi a mundësi avancimi të pozicionit të vet ndërkombëtar.
Ne duhet të zhvillohemi ekonomikisht, të rrisim prodhimin e punësimin, ta mposhtim krimin e korrupsionin, ta fuqizojmë e pavarësojmë gjyqësorin, ta përmirësojmë arsimin e shëndetësinë. Kështu forcohemi nga brenda, dhe kështu bëhemi të fortë për jashtë. Por mendësia qeverisëse e Mustafës, Thaçit, e kësaj klike zaptuese, është e kundërt. Ata themelojnë ‘Zajednica’, shesin territore, vjedhin paranë publike, uzurpojnë pasuritë publike, i zaptojnë agjencitë e pavarura, e kontrollojnë gjyqësorin, e privatizojnë shtetin, arsimin, shëndetësinë, resuret e fabrikat. Kështu e dobësojnë shtetin dhe bëjnë të ‘fortin’ brenda.
Me këtë mendësi politike jo që nuk do ta fitojmë të drejtën e lëvizjes së lirë për në BE, por për çdo ditë po na cungohet lëvizja e lirë brenda Kosovës, duke na u cunguar territori e zaptuar publikja”, ka shkruar Ymeri në Facebook.