Kryeministri Isa Mustafa,gjatë mbledhjes, ka prezantuar iniciativën e zëvendëskryeministrit, Kujtim Shala, që viti 2016 të cilësohet simbolikisht si viti i Nënë Terezës në Kosovë.
“Duke pasur parasysh që ky vit do të jetë vit i shenjtërimit të Nënë Terezës, këtë vit simbolikisht ta cilësojmë edhe si Vitin e Nënë Terezës në Kosovë, të cilin do ta shfrytëzojmë për afirmimin e humanizmit, afirmimin e mirëkuptimit, afirmimin e ndihmës, afirmimin e raporteve të mira dhe korrekte të paqes dhe dinjitetit në Kosovë”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kabineti qeveritar unanimisht është pajtuar me këtë iniciativë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka rishqyrtuar dhe miratuar Programin Legjislativ për vitin 2016 në të cilin përfshihet hartimi dhe miratimi i 87-të projektligjeve të reja dhe plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve të vjetra.
Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni për Planifikim Strategjik, i cili do të kryesohet nga kryeministri i Kosovës dhe që do të drejtojë procesin e Planifikimit të Integruar të Kosovës. Ky planifikim përfshin përcaktimin e prioriteteve strategjike të Qeverisë, monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, monitorimin e Planit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, strategjitë sektoriale, politikën fiskale, finalizimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, çështjet strategjike të investimeve publike dhe planin vjetor të punës së Qeverisë.
Është aprovuar nisma e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW Frankfurt Am Main, për financimin e projektit “Largimi i Ujërave të Zeza në Jug-Perëndim të Kosovës, faza e IV”, në Komunën e Pejës. Projekti është një bashkëfinancim i fondeve të ndryshme, ndërsa marrëveshja parasheh një kontribut financiar të Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, në vlerë prej 9 milionë eurosh, për realizimin e këtij projekti.
Qeveria ka miratuar vendimin për zgjedhjen e një anëtari për plotësimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Radoniqi në Gjakovë.
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave që të bëjë transferet e mjeteve deri në vlerën prej 40 mijë eurove nga programi Shpenzimet e Paparashikuara.
Është aprovuar edhe kërkesa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kompensimin e shtesave dhe të stimulimit financiar për 74 gjyqtarët e krimeve të rënda për vitin 2016 në shumë prej 279,720 euro. Shtesa bruto për këta gjyqtarë është treqind euro në muaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin udhëzohet Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjet së re “MTS” D.O.O. Vendimi do të hyjë në fuqi, ditën që autoriteti ndërkombëtar i telekomunikimeve do t’i ndaj Republikës së Kosovës kodin telefonik.
Kabineti Qeveritar është informuar me Raportin mbi Performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore për vitin 2015. Raporti evidenton se gjatë viti 2015 janë realizuar të hyra buxhetore në vlerë prej 1 miliard e 452 milionë euro, që paraqet realizimin e të hyrave në masën prej 98,4% të të hyrave të projektuara, që janë 9% me të larta se vitin e kaluar. Shpenzimet në total kapin shifrën prej 1 miliard e 553 milionë euro, që është 95.2% e shpenzimeve të parashikuara, që janë 5.7% më të larta se vitin e kaluar.
Në mbledhjen e sotme është aprovuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, sipas të cilit në këtë këshill do të jenë anëtarë edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Këshilli i Investitorëve Evropian.