Shkruan: Blerim Burjani
Viti i gazit edhe para botës
Viti që po hyjmë është viti kur do të fillojë punën Gjykata Speciale
Duhet të përmbushen kriteret që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit, konfliktin e interesit, depolitizimin e prokurimit, që janë pjesa më e rëndë që atakon oligarkinë financiare dhe bizneset partiake në vend
Viti 2016 mund të jetë një nga vitet më sfiduese për institucionet e shtetit, si rezultat i luftës së ashpër për pushtet. Lufta politike, moskursimi i asgjëje i kësaj skene politike mund të pritet edhe në vitin 2016 dhe atë me një intensitet më të ashpër, me një thellim të krizës. Tek e fundit, kjo nuk bëhet për interes të qytetarëve, por për interesa personale dhe inate në mes të pozitës dhe opozitës. Viti i 2015 ishte një nga vitet me interesante pas pavarësimit të shtetit në vitin 2008. Gazi lotsjellës ka mbuluar shpeshherë sallën e kuvendit. Pa marrë parasysh largimin e deputetëve opozitarë nga salla e punimeve të Kuvendit nga Kryesia e Kuvendit, duke zbatuar rregulloren e punës që lejon marrjen e masave, kishte edhe probleme edhe me legjitimacionin e nxjerrjes së vendimeve sanksionuese ndaj opozitës. Kjo mund të shpie te devalvimi edhe i bazës ligjore. Për një seancë mund të merren masa të tilla, por si të justifikohet marrja e masave të përsëritshme me çka vë në dyshim edhe zbatimin e drejtë të rregullores së punës. Viti 2015 ishte viti i gazit edhe para botës. Në vend që kjo pozitë dhe opozitë të luftonin për ide të zhvillimit ekonomik, këta luftuan për pushtet, me fjalë tjera kush kujt s’po ia lë prej inateve. Pra, revanshizmi politik dhe ideologjik mbizotëruan edhe sivjet klimën politike. Opozita e bashkuar po ashtu pati probleme të mëdha, ku një numër i deputetëve u arrestuan për shkak përdorimit të gazit lotsjellës pa autorizim dhe në mënyrë të kundërligjshme. Duke zbatuar Kodin Penal të shtetit u morën masa të arrestit, pastaj masa te arrestit shtëpiak për disa deputetë opozitarë. Kështu si shkuan punët, po të mos përfundonte punën Kuvendi dhe të shkonte në pushim dimëror, rreziku ishte të mbetej salla e Kuvendit pa deputetë të opozitës dhe pa zërin kritik të opozitës.
Kundërefektet e reformës
Opozita asgjë s’është më e mirë se kjo pozitë, e cila është e akuzuar për korrupsion dhe gjëra të shumta të kundërligjshme. Kjo klasë politike nuk ka ofruar asgjë për qytetarët, vetëm mjerim, jo demokraci, jo zbatim të vullnetit politik. Edhe viti 2015 u karakterizua me mungesë të zhvillimit ekonomik, me një reformë qeveritare të proklamuar, por të pazbatuar dhe me shtrenjtim të artikujve ushqimorë. Deri më tash, kjo reformë fiskale ishte kontra-produktive, përderisa në tregun ekonomik nuk u morën masa kundër atyre bizneseve që nuk e respektuan reformën fiskale. Në anën tjetër, vetëm tri njohje të reja ndodhën për shtetin e Kosovës dhe do të mbahet mend dështimi për t’u anëtarësuar në UNESKO. Një pjesë e njerëzve me kapacitete plotësisht të limituar në politikën e jashtme udhëheqin dialogun me Serbinë, i cili dialog Kosovës i kushtoi me probleme, gaz lotsjellës, pa siguri, përplot protesta dhe pa zgjidhje. Viti 2016 është vit kur do të fillojë punën Gjykata Speciale dhe do të fillojë ngritja e aktakuzave ndaj një pjese të dyshuar për krime dhe trafikim me organe njerëzore. Nga Kosova pritet të plotësohen kriteret për liberalizim të vizave e disa kushte janë të vështira të plotësohen. Disa brenda një kohe të shkurtër edhe do të plotësohen, sidomos pjesa që ka të bëjë me korrupsionin, konfliktin e interesit, depolitizimin e prokurimit, që janë pjesa më e rëndë që atakon oligarkinë financiare dhe bizneset partiake në vend. Shteti në vitin 2016 mund të pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, më së largu në qershor të vitit 2016. Kosova as në vitin 2015 nuk punoi në reformimin e administratës publike, as në reformën zgjedhore. Serbia më së shumti në regjion përfitoi nga Kosova, duke i hapur asaj dyert për në BE, e Kosova mezi arriti të nënshkruajë MSA-në, përderisa liberalizimi dështoi, edhe pse pozita e quajti si fitore kushtëzimin e liberalizimit për Kosovën.
Dështime gjithandej
Edhe në vitin 2015 u fuqizua ndikimi politik në ndërmarrje publike, duke dërguar njerëz joprofesionalë në borde të ndërmarrjeve publike, duke iu ofruar poste pa dije dhe pa profesionalizëm. Në këtë vit vazhdoi politizimi i skajshëm i Gjykatës Kushtetuese, duke zgjedhur njerëz pa dije dhe njohuri elementare në fillet e së drejtës dhe interpretimit. Ky ishte një vit humbës i madh për qytetarët dhe njerëz të shumtë të papunë; varfëria duket që s’ka skaj. Shëndetësia kosovare dhe dhënia e shërbimeve shëndetësore vazhduan të jenë shqetësim i madh për qytetarët. Edukimi universitar, përkundër fjalëve për rritjen e cilësisë, është mbetur e mjerë. Ministri i Arsimit, në mungesë të politikave të mirëfillta, bëri shkarkimin e organeve të dekanëve, shpalli zgjedhjet në njësit akademike, në paaftësi të plotë të qeverisjes me politika edukative. Në vitin 2016 po shpresohet se diku kah shtatori qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Evropë. Kjo duket shpresë, por s’ka ndonjë shpresë të madhe të përmirësimit të standardit ekonomik të qytetarëve. Pritet në vitin 2016 një vetëdijesim më i madh i qytetarëve për ndëshkimin e politikanëve.