Viti 2015 u përmbyll me një numër të madh deputetësh të arrestuar, me-ish kryetarë komunash që vazhdojnë t’i ikin drejtësisë, por edhe me kryetarë të komunave që vazhdojnë të mbajnë këto poste, ndonëse janë të dënuar në disa shkallë të drejtësisë kosovare.
Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi, Aida Dërguti, Besa Baftiu, Glauk Konjufca, Faton Topalli,Fisnik Ismajli, Pal Lekaj, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu, Ismajl Kuteshi dhe Haxhi Shala, janë këta të gjithë deputetë të opozitës të cilët për shkak të veprimeve – si hedhja e gazit lotsjellës brenda sallës se seancave dhe ambienteve tjera të Kuvendit – janë përballur me vendime të ndryshme nga ana e gjyqësori.
Derisa një grup deputetësh është përballur me paraburgim, disa të tjerë kanë qëndruar në arrest shtëpiak.
Rekord këtë vit ka shënuar edhe mbajtja e seancave jashtë vendit të paraparë për to. Bufeja në katin e pestë të Kuvendit, u shndërrua në sallë alternative ku do të mbaheshin disa seanca, madje edhe ajo që shënoi përfundimin e sesionit vjeshtor të Kuvendit.
Në vitet e fundit drejtësia kosovare është sfiduar edhe nga kryetarë komunash të cilët ndonëse kanë marrë vendime nga shkallët e para të gjykatave lidhur me keqpërdorim të detyrës zyrtare, si: Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit; kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku; lidhur me pretendime për kryerje të krimeve gjatë luftës, kryetari i Skenderajt – Sami Lushtaku; armëmbajtje pa leje, si rasti i ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku. Tre nga ta vazhdojnë të mbajnë këto poste.
Madje, në një paraqitje publike kohëve të fundit drejtësinë kosovare e sfidoi rëndë Zharku. Ndonëse i dënuar e i arratisur në Suedi – vend në të cilin ka edhe shtetësi – ai u paraqit publikisht me 28 nëntor në një manifestim të organizuar nga Ministria e Diasporës.
Paraqitja e tij kishte shokuar dhe kishte nxitur reagimin nga presidentja e vendit, si dhe ambasadori britanik, Ruari O’Conell.
Në anën tjetër, Ramadan Muja tash e disa vite po përballet me drejtësinë dhe aktualisht lënda e tij është kthyer nga Gjykata Supreme në atë të Apelit, vendim ky që nga nxitur po ashtu reagime nga qytetarët aktiv të këtij qyteti. Muja, për akuzat e ngritura për keqpërdorim të detyrës zyrtare është deklaruar i pafajshëm dhe asnjëherë deri më tani nuk ka thënë se do të dorëhiqet nga posti i tij.
Raste të ngjashme ishin edhe ato të dy kryetarëve të tjerë – atij të Skenderaj dhe të Drenasit. I pari, Sami Lushtaku, vazhdon të jetë në burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc, por mban të ngrirë postin e kryetarit të Skenderajt.
Rekorde këtë vit mund të thuhet se shënuan arrestimi i 13 deputetëve të opozitës, si asnjëherë më parë në historinë parlamentare të pasluftës të Kosovës dhe po ashtu përdorimi i gazit lotsjellës dhe mbajtja e seancave parlamentare jashtë vendit ku janë të parapara për t’u mbajtur ato. Këtë vit për herë të parë një Kryesi e Kuvendit ka vendosur që të përjashtojë deputetë si pasojë e veprimeve të ndërmarra në seanca.