Lajmet e fundit

Viti vendimtar për Hashimin!

Nga Beqë Cufaj

I lexuat intervistat e Hashimit dhe Isës në prag dhe pas ndërrimit të motmotve? Unë jo të gjitha. Më mjaftonin vetëm titujt, mestitujt me mesazhet e nxjerra prej tyre. Janë tre ose katër gjëra që ishin redunanca të pritshme: gjuha e butë e të dyve karshi “kërkesave” të Albinit, Ramushit e Fatmirit; përgjërimi deri në përjargim i Isës që LDK do ta “përmbush” obligimin për marrëveshjen presidenciale dhe jep votën për President PDK-së; si dhe gadishmëria, habitshëm e parakohshme e Hashimit për t’u prononcuar përkatësisht “kandiduar” për President të Republikës (së tij).

S’ka faj. Viti në të cilin kemi hyrë duhet të jetë vendimtari në jetën e politike. Boll më me turra-vrape “misionesh” në çdo fshat të përlloçur të Kosovës ta kërkojë votën për “komandantët”, “doktorat”, “magjistrat” e “magjistricat” e partisë së tij. Edhe ashtu viti që la prapa duhet të ketë qenë leksion vendimtar: që edhe kur je i dyti në sofër, Enver Hoxhaj do të thoshte “realisht”, je i pari.

Këtë, hap Hashimi e mori me porosi të drejtpërdrejtë nga tashmë i ndjeri deputet i CDU-së, dhe “arkitekt” i Koalicionit PDK-LDK, Andreas Schockenhoff. Imagjinojeni situatën kur Schockenhoff në tavolinën e një restoranti në Prishtinë brenda vetëm ca sekondash ia merr postin Enver Hoxhajt dhe i “sugjeron” Hashimit që në Gjermani e Austri zakonisht është “traditë” që partneri i koalicionit pos Zëvendëskryeministër të merr edhe pozitën e Ministrit të Jashtëm!

U tha u bë.

Dhe përkundër jo edhe aq shumë shkëlqimeve në skenën ndërkombëtare, për të mos i quajtur ndryshe (pak njohje, fiasko që quhet Unesco), bile diçka Hashimi mësoi si Ministër i Jashtëm. Atë të shkodranëve: “ma mirë i shetitun- se i ditun”! Takime të pafundme, udhëtime kudo në botë, prezantime në gazeta mke renome ndërkombëtare etj.etj.

Tashmë e dijmë që e ndajnë vetëm edhe disa javë nga “vendimi i vendimeve”. Dhe për këtë është duke punuar nën ethe. Së pari, afrimi deri në vardisje që po i bën opozitës- sidomos Ramushit e Fatmirit- bile që edhe t’i zbarkon në Qeveri në mënyrë që ta len VV!-në vet që këtë ta kap “sindromi” i Koshtunicës në Serbi dhe ta kalon një rrugë e dy punë: Isës t’ia ngushtojë edhe më hapësirën e vetes t’ia rritë “konsensusin”. Së dyti, ta merr garancinë e sidomos amerikanëve që s’do të ketë më skenar “zarfi” si me Jahjagën. Dhe së treti që posa të zgjedhet President, ta shkelmojë dhe shkatërrojë përfundimisht LDK-në në mënyrë që Kadri Veseli në zgjedhjet e vjeshtës të bëhet Kryeministër i Kosovës. Me apo pa Ramushin e Fatmirin në Qeveri- gjë që s’e besoj edhe aq.

Të gjitha gjasat janë pra që Hashimi në Prill të këtij viti do të bëhet President i Republikës së Kosovës dhe kjo nuk përbën një befasi. Pos nëse opozita vërtetë e përshkallëzon situatën aq shumë saqë Isa duhet të dorëzohet dhe papritmas e çon vendin në zgjedhje. Por edhe në atë situatë- puna s’do të jetë keq për Hashimin sepse në një fushatë të mundshme ky gishtin do ta drejtojë si nga LDK- e paaftë të qeverisë dhe pa Isën kandidat për Kryeministër (do ta coptojnë Vjosat e Arbenat), ashtu edhe opozita “shtetprishëse”. Si fitues i atyre zgjedhjeve menjëherë në Prill ai shkon në postin e të Parit të vendit kurse Kadri Veseli të Kryeministrit.

Në njërin apo tjetrin variant- pos nëse bëhet ndonjë gjamë e madhe- Thaçi do të rehatohet për pesë vitet që vijnë. Quajeni edhe sindrom Gjukanoviqi por ja që do të ikë nga “balta” e përditshmërisë banale politike.

Është vetëm një pyetje a dilemë që e kam me këtë rast: si do ta gjejë Hashimi këtë Republikë kur të bëhet i pari i saj? Përgjigja del kështu: më tepër se keq. Aq keq sa edhe si i pari i vendit dhe tashmë bukur i shëtituri do të turpërohet edhe më, tashti jo veç me “komandantët”, “doktorat”, “magjistrat” e “magjistricat” e PDK-së… por edhe me një popull dhe qytetarë të vendit të tij që jetojnë në margjina të ekzistencës, dhe kanë synim pikërisht si “anëtarësia” e PDK-së të shëndërrohen në: “komandantë”, “doktora”, “magjistra” e “magjistrica”, ose të vazhdojnë të mbijetojnë në margjina- pa punë e pa perspektivë- por thellësisht të dëshpëruar e rrënuar shpirtërisht me shtetin që PDK e Hashimit e bëri tash tetë vite./© GazetaBlic.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.