Lajmet e fundit
Vitin e ardhshëm rritja ekonomike në Kosovë 5 për qind

Vitin e ardhshëm rritja ekonomike në Kosovë 5 për qind

Rritja ekonomike në Kosovë vitin e ardhshëm pritet të jetë 4.2 për qind. Kështu paralajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes një raporti të publikuar ditë më parë. Ndërkaq sipas Kornizës afatmesme të shpenzimeve 2013-2015 rritja reale ekonomike përgjatë kësaj periudhe parashihet të jetë rreth 5 për qind apo më e lartë, nëse realizohen projektet e mëdha, Rruga 6, Brezovica dhe “Kosova e re”.

Gjatë vitit të ardhshëm Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Sipas raportit të FMN-së, të bërë publik gjatë javës, Kosova në vitin 2014 do të shënojë rritje ekonomike prej 4.2 për qind, nga 2.6 për qind sa do të arrijë sivjet.

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se rritja e paralajmëruar, është mjaft e ultë për të zvogëluar problemet ekonomike e sociale në Kosovë. Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi, tha për Radio Kosovën se vendi ynë është shumë i pazhvilluar dhe duke marrë parasysh këtë, niveli prej 2 apo 4 për qind i rritjet nuk mjafton për të tejkaluar problemet e grumbulluara.

“Në bazë të shumë vlerësimeve që janë dhënë nga Organizatat ndërkombëtare Kosovës i nevojitet një rritje ekonomike prej 10 deri në 12 për qind në vit për ta thitë atë forcë punëtore që hyn në tregun e punës çdo vit”, tha ai.

Sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2013-2015, rritja është projektuar të arrijë në rreth 5 për qind. Sidoqoftë, sipas këtij dokumenti, të hartuar nga qeveria e Kosovës, rritja gjatë kësaj periudhe mund të jetë më e lartë dhe të arrijë normën prej 6 deri në 7 për qind, me realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe turistike, respektivisht fillimin e projekteve siç janë autostrada Prishtinë Hani i Elezit që njihet si Rruga 6, Brezovica dhe Termocentrali Kosova e Re, duke përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen e sektorit privat.

Demi thekson se bartës i zhvillimit ekonomik duhet të jetë sektori privat. “Shtytësi kryesor i zhvillimit ekonomik edhe më tutje është sektori publik, përmes investimeve kapitale prej 600 milionë eurove në vit dhe kjo po ndikon që në një masë të ketë punësime sezonale dhe në anën tjetër ne kemi një shifër prej afër 80 mijë njerëz duke punuar në sektorin publik, kurse sektori privat i cili do duhej të ishte gjenerator i zhvillimit ekonomik, ka mbetur i pazhvilluar”, theksoi ai.

Ndryshe, FMN-ja paralajmëron se rritja ekonomike në nivel botëror do të jetë më e ngadaltë nga sa ishte parashikuar gjatë 2013-s dhe 2014-s. Sa i përket rritjes së përbashkët botërore për 2013-n, FMN parashikoi një ngadalësim në nivelin e 2,9 për qind, kurse në vitin 2014, rritja do të jetë më e lartë, me një total prej 3,6 për qind.

Leave a Reply

Your email address will not be published.