Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në institucionet e ndalimit dhe respektimin e lirisë së tubimit, me 28 nëntor ka vizituar aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje” të arrestuar nga njësitë e policisë së Kosovës në ambientet e stacionit policor në Prishtinë si dhe në Klinikën Emergjente në QKUK.
Aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje” janë arrestuar në orët e pasditës së 28 nëntorit, pas përfundimit të manifestimit të opozitës për ndër të 28 nëntorit – Ditës së Flamurit në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, derisa forca të shumta policore të njësisë special kishin rrethuar selinë e “Vetëvendosje” dhe kishin arrestuar ish liderin e kësaj lëvizje. Gjatë këtij intervenimi të Policisë së Kosovës ishin arrestuar mbi 90 aktivistë të “Vetëvendosjes”.
Ekipi i QKRMT, rreth orës 20:50 të datës 28.11.2015 ka vizituar të arrestuarit në ambientet e ndalimit në stacionin policor në Prishtinë ku kishin qënë të vendosur nëntë të arrestuar, ndërsa vazhdonin të silleshin edhe të arrestuar të tjerë të kapur nga njësitet e Policisë së Kosovës me këtë rast. Po ashtu, QKRMT vizitoj edhe Klinikën Emergjente në QKUK ku kishin kërkuar ndihmë mjekësore një numër i aktivistëve të “Vetëvendosje” si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tyre nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Të arrestuarit e intervistuar, janë shprehur mjaft të indinjuar me brutalitetin dhe ashpërsinë e sjelljes së Policisë së Kosovës pas hyrjes në ambinetet e objektit të “Vetëvendosje”. Një sjellje e tillë sipas të arrestuarve nuk është parë asnjëherë më parë. Aktivistët kishin pësuar lëndime të shumta trupore si pasojë e goditjeve nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës. Ata janë shprehur se policia gjatë gjithë aksionit ka përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese ndaj tyre.
Disa aktivistë të tjerë janë lënduar si pasojë e shtyrjeve dhe ndrydhjeve nga veprimi i policisë, ndërsa ka pasur edhe raste kur gjatë arrestimit-largimit nga objekti janë tërhequr zvarrë.
Të intervistuarit kanë pohuar se ka pasur edhe policë civil të armatosur. Fillimisht, pjesëtarët e Njësisë Speciale pasi kishin thyer derën e hyrjes së objektit të “Vetëvendosje”, kishin hyrë në ambientet e brendshme duke mbajtur automatik me tyta të drejtuara kah aktivistët e shumtë që ndodheshin në ato momente në objektin e “Vetëvendosjes”, pa ndonjë paralajmërim kishin hedhur sprej të djegës ndaj tyre për t’i neutralizura dhe më pas u janë vërsulur atyre duke i goditur me shqelma, grushte e tyta të automatikëve, në disa raste edhe ndaj atyre që ishin të shtrirë.
Dy prej të arrestuarve të rrahur janë deklaruar se ndaj tyre është shtënë me plumba gome nga ana e pjesëtarëve të policisë, ku si pasojë kishim marrë lëndime trupore. Një tjetër aktivist i vizituar në Klinikën Emergjentë kishte kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e thyerjes së dy dhëmbëve nga goditjet e forta me shufra gome nga ana e policisë. Një tjetër i intervistuar është ankuar se pas arrestimit të tij, teksa po hynte në ambientet e stacionit policor në Prishtinë, një pjësëtarë i policisë e ka goditur me grushte në kokë disa herë radhazi. Ndërsa, një tjetër aktivist i lënduar rëndë – gishta të thyer në dorën e majtë, deklaroj se në Stacionin Policor në Prishtinë nuk i ishte ofruar ndihma mjekësore edhe pse e kishte kërkuar.
Të gjithë të intervistuarit janë shprehur se në ambientet e ndalimit në Stacionin Policor në Prishtinë zyrtarët policor kanë pasur sjellje korrekte dhe janë zbatuar të drejtat procedurale ndaj tyre, më përjashtim të njërit të cilit nuk i ishte ofruar ndihma mjekësore e kërkuar.
QKRMT, duke vlerësuar gjithë situatën dhe rrethanat e rastit, dëshiron të shpreh shqetësimin për incidentin e djeshëm në ambientet e objektit të “Vetëvendosjes” në Prishtinë, e në veçanti veprimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj aktivistëve, respektivisht dhunën e përdorur ndaj tyre. QKRMT, më tej vlerëson se veprimet e dhunshme dhe të pamatura të Policisë së Kosovës jo vetëm ndaj aktivistëve që kishin përfunduar të arrestuar, ishin të panevojshme dhe joproporcionale dhe kurrësesi nuk mund të arsyetohen në rrethanat konkrete.
Po ashtu, mjetet e përdorura si sprej i djegës në ambiente të mbyllura në një situatë ku nuk ka dhunë dhe kërcënim të hapur, frikë nga ikja apo sulm i mundshëm nuk ishin të arsyeshme për rrethanat e rastit.
Terrorizimi i qytetarëve–aktivistë përmes drejtimit të tytave automatike dhe goditjeve me to si dhe goditjet me shufra gome, madje me plumba gome, me grushte e shqelma përbëjnë poashtu keqtrajtim të rëndë fizik. Këto veprime janë të ndëshkueshme sipas dispozitave ligjore në fuqi si dhe akteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të aplikueshme në Republikën e Kosovës.