Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi në takim me ndihmës sekretarin amerikan Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi në takim me ndihmës sekretarin amerikan
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork është takuar sot me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee.
Në takim, ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
“Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe proceset integruese euroatlantike.
Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e gjithanshme që SHBA-të po japin për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit me SHBA-të”, thuhet në njoftimin për media.
Mustafa po ashtu kërkoi mbështetjen e SHBA-ve për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në UNESCO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit i SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Yee po ashtu e përgëzoi Qeverinë e Kosovës për konstruktivitetin e treguar në kuadër të proceseve rajonale.
Zëvendës ndihmës sekretari Yee gjithashtu shprehu vlerësimet e tij për angazhimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe avancimin e proceseve integruese euroatlantike, duke shprehur përkrahjen e SHBA-ve në këtë rrugë.
Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari Yee biseduan edhe për modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) si dhe përfundimin e mandatit të EULEX-it.