Lajmet e fundit

Vjosa Osmani: PDK ka synim shndërrimin e LDK-së në satelit të saj! Opozita po krijon precedent të rrezikshëm

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar se ajo nuk do të marrë pjesë ne seancën e Kuvendit, nëse opozita nuk do të tërhiqet nga përdorimi i dhunës. Ajo thekson se veprimet e opozitës janë precedentë të rrezikshëm për të ardhmen e vendit. Ajo në një intervistë ekskluzive të dhënë për gazetën Blic flet edhe për funksionimin e koalicionit PDK- LDK.

Sipas saj, PDK ka synim shkatërrimin e LDK-së dhe shndërrimin në satelit të saj.

“Natyrisht që unë vazhdojë të mendojë që PDK ka për qëllim shkatërrimin e LDK-së dhe shndërrimin e saj në marionetë apo parti satelit të PDK-së. Ky skenar duhet të ndalohet sa nuk është tepër vonë. Mund të jenë 3-4 njerëz në LDK që ndihen shumë komod në këtë koalicion, për shkak të pozitave të tyre personale, por për ta LDK-ja nuk është asgjë tjetër pos një korporatë biznesi”, ka thënë Osmani në këtë intervistë të dhënë për Gazetën Blic.

Gazeta Blic: Znj. Osmani mediet kanë raportuar se nuk do të jeni prezente nesër në seancën e Kuvendit. Pse nuk do të merrni pjesë?

Vjosa Osmani: Mendoj se duhet t’a pranojmë që gjendemi në një krizë politike e institucionale e cila nuk zgjidhet duke injoruar njëri-tjetrin, apo duke i mbyllur sytë para situatës së krijuar. Në fakt, pikërisht sjellja e tillë është ndër shkaktarët kryesorë të kësaj situate. Pavarësisht numrave që mund t’i ketë një qeveri, është bashkëpunimi me të gjithë përfaqësuesit e popullit, sidomos për çështje të interesit nacional, që e bënë atë më të fuqishme dhe më legjitime. Pra, përkundër faktit që në seancat e fundit kishte ushtrim të dhunës nga opozita, madje edhe me mjete që mund të rrezikojnë shëndetin e deputetëve prezentë, është caktuar një seancë për të premten në mbrëmje, pa kurrfarë arsyetimi se ku qenka urgjenca, dhe pa u krijuar kushtet elementare për mbajtjen e seancave. Për më tepër, në një situatë kur Presidentja e vendit ka ndërmarrë një iniciativë për të bërë bashkë liderët politik dhe për të provuar për të gjetur zgjidhje, thirrjen e seancës pa i dhënë asaj fare kohë e shoh si gabim të madh dhe si një eksperiment të rrezikshëm. Dhe unë nuk dua të bëhem pjesë e eksperimenteve dhe skenareve të tilla që përkeqësojnë situatën. Nëse shoh që të dyja palët kanë reflektuar dhe kanë përkushtim për të gjetur një zgjidhje që do të eliminonte mundësinë e përdorimit të dhunës, atëherë nuk kam arsye që mos të shkojë. Por, nuk po shoh diçka të tillë për momentin. Poashtu, nëse pika e parë e rendit të ditës vendoset të jetë ndonjë solemnitet për falënderimin e shteteve që e kanë përkrahur Kosovën në UNESCO, unë do të marrë pjesë vetëm në atë pikë të rendit të ditës. Edhe pse, fatkeqësisht, siç po shihet, edhe kjo është taktikë qëllimkeqe, sepse festa për UNESCO do të duhej të bëhej vetëm pas 6 nëntorit, kur edhe votohet në konferencën e përgjithshme të kësaj agjencie. Pra në vend se të merret me taktika të tilla, z. Thaçi do të bënte mirë që kohën e tij t’a kalojë duke lobuar me shtetet anëtare që do të votojnë në nëntor. Mendoj që është shqetësuese që një numër i shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ose votuan kundër ose abstenuan dje gjatë votimit në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s. Pra është proces që kërkon shumë punë në mënyrë që të arrihen 2/3 e nevojshme (total 130 shtete) për anëtarësim kur të votohet përfundimisht në Konferencën e Përgjithshme. Pas votimit të suksesshëm në këtë organ, procesi i anëtarësimit do të përfundojë vetëm pas ratifikimit për anëtarësim në Kuvendin e Kosovës. Kushtetuta jonë kërkon që çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare të ratifikohet në Kuvend me 2/3 e votave. Dhe ky ratifikim, siç e dini, nuk mund të bëhet përderisa Kuvendi të jetë jofunksional. E njëjta gjë vlen edhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila do të kërkojë ratifikim prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës.

Gazeta Blic: Opozita ka paralajmëruar se edhe të premten do ta bllokoj seancën e Kuvendit. Si i komentoni këto veprime të opozitës?

Vjosa Osmani: Skenat e dhunës të krijuara në Kuvendin e Kosovës nuk besoj se mund të arrijnë zhbërjen e marrëveshjeve të cilat po kundërshtohen: marrëveshja për asociacionin dhe ajo për demarkacionin. Por edhe sikur kjo të ishte e mundur, dhuna e tillë, duke paragjykuar votën e deputetëve të PDK-së apo LDK-së, pa u dhënë shansin të deklarohen për marrëveshjet, dhe duke i shpallur të gjithë tradhtarë, është paragjykim i tmerrshëm dhe i rrezikshëm.  Dhe të jemi të qartë, asgjë nuk i shërben më shumë kundërshtarëve të Kosovës se sa ta paraqesin vendin tonë si shtet të dështuar për shkak të dhunës së tillë.

Gazeta Blic: Situata duket se është polarizuar shumë ndërmjet dy blloqeve, pozitës në njërën anë dhe opozitës në anën tjetër. Si mund të dilet nga kjo situatë?

Vjosa Osmani: Polarizimi ekstrem politik i bënë shumë keq një shoqërie që ka për qëllim ndërtimin e demokracisë. Asnjëherë nuk kam parë armiqësi më të madhe në mes të deputetëve se sa tani. Situata është tepër shqetësuese, prandaj të gjithë që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e saj, përfshirë edhe shoqërinë civile, mediat, përfaqësuesit e shteteve mike, do të duhej t’a luajnë rolin e tyre. Por, përgjegjësia kryesore bie mbi liderët e partive politike. Ata duhet të tregojnë gatishmëri e maturi, që për hir të institucioneve, të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje. Me sjelljet e tilla sikur këto që i kemi parë deri më tani, po krijohen dy precedente shumë të rrezikshme: e para, po krijohet precedent se secila opozitë, duke shfrytëzuar mjete të dhunshme, mund të bllokojë punën e institucioneve, dhe e dyta, po krijohet precedent i një qeverie që mendon se i përfaqëson vetëm votuesit e saj e jo të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht cilën parti e kanë votuar ata. Të dyja këto precedente duhet të luftohen. Opozita duhet të heqë dorë nga taktikat e dhunshme, ndërkaq Qeveria duhet t’i shohë deputetët e opozitës si përfaqësues të qytetarë që mendojnë ndryshe, por me të cilët domosdo duhet të bashkëpunohet për cështje të interesit nacional. E vetmja mënyrë për të dalur nga kjo situatë është duke lënë prapa inatet e së kaluarës dhe të shihet përpara mundësia e bashkëpunimit në interes të vendit. Bashkëpunimi Qeveri-Opozitë është parakusht për daljen nga kriza.

Gazeta Blic: Ka pasur kërkesa nga disa njerëz të PDK-së që qeverinë duhet ta udhëheq Hashim Thaçi e jo Isa Mustafa. Kush duhet të udhëheq me Qeverinë sipas jush, apo ky koalicion ka filluar të ketë probleme në funksionimin e tij?

Vjosa Osmani: Koalicioni PDK-LDK është problematik qysh në thelbin e tij. Po flasim për partnerë politikë që gjithnjë e shohin njëri—tjetrin vetëm si rivalë dhe niveli i mosbesimit është i madh. Natyrisht që unë vazhdojë të mendojë që PDK ka për qëllim shkatërrimin e LDK-së dhe shndërrimin e saj në marionetë apo parti satelit të PDK-së.

Ky skenar duhet të ndalohet sa nuk është tepër vonë. Mund të jenë 3-4 njerëz në LDK që ndihen shumë komod në këtë koalicion, për shkak të pozitave të tyre personale, por për ta LDK-ja nuk është asgjë tjetër pos një korporatë biznesi.

Por, sic e kam thënë shumë shpesh, LDK-ja e vërtetë është anëtarësia e saj. Anëtarësia janë të vetmit që mund ta shpëtojnë LDK-në nga skenarët e ndërtuara nga PDK dhe eksponentët e saj. Sa i përket pyetjes se a duhet të udhëheqë Thaçi me Qeverinë, përgjigja ime është natyrisht që jo. As me Qeverinë, as me Presidencën, dhe as me ndonjë institucion tjetër.

 

Gazeta Blic: Kohëve të fundit duket se jeni përafruar me qëndrimet e lidershipit të partisë, apo ka një “heshtje” nga ana juaj ndaj liderit, Isa Mustafa, pavarësisht pse ju lanë jashtë organeve drejtuese të LDK-së. Jeni pajtuar me lidershipin e partisë?

Vjosa Osmani: Është e vërtetë që nuk kam qenë shumë prezente në media gjatë verës dhe gjatë muajit shtator, sepse isha në SHBA për të ligjëruar një lëndë një semestrale në Universitetin e Pittsburgh-ut. Por, qëndrimet e mia për zhvillimet politike në vend asnjëherë nuk varen, dhe siç e kam dëshmuar, as në të kaluarën nuk janë varur, nga ato të lidershipit të partisë. Këto qëndrime i ndërtoj varësisht nga argumentet dhe faktet që posedoj dhe sipas ndërgjegjes sime. Këtë në fakt e kam edhe obligim kushtetues si deputete. Nëse fjalën e keni për votën time PRO Gjykatës Speciale, ajo nuk lidhet fare me atë se kush është kryeministër. Do të votoja pro kësaj Gjykate pavarësisht se kush do të ishte në krye të Qeverisë dhe pavarësisht qëndrimit të LDK-së, dhe shumë herë deri tani kam dhënë argumentet e mia që arsyetojnë atë votë. Gjithashtu, fakti se dal kundër dhunës si mjet për të arritur qëllimet politike nuk do të thotë aspak që këtë e bëjë për të rënë dakord me dikë tjetër, sepse nëse lexoni qëndrimet e mia, do t’a shihni se unë konsideroj se të gjitha palët, fatkeqësisht, kanë kontribuuar në krijimin e situatës së tanishme, qoftë duke përdorur mjete të gabueshme, qoftë duke bërë kërkesa të parealizueshme, apo qoftë duke nxitur edhe më shumë situatën nëpërmjet veprimeve e gjuhës provokuese. Ka ardhur koha që skena politike në vend të tregojë maturi por edhe respekt të ndërsjellë, sepse vetëm pse dikush mendon ndryshe nuk do të thotë që i kemi armiq.

Gazeta Blic: Gjatë ditës së djeshme Këshilli Drejtues e shkarkoi rektorin Zejnullahu, derisa sot e riktheu ministri i Arsimit dhe pati reagime të mëdha edhe nga partitë politike në pushtet që e mbështetën. Mendoni se s’kishte fare dorë politika në shkarkimin e rektorit?

Vjosa Osmani: Rektori Zejnullahu vazhdimisht ka pasur përkrahjen time për punën që ka bërë dhe këtë e kam thënë shpesh publikisht. Fatkeqësisht, UP është shndërruar në një çerdhe të njerëzve të paditur që titujt e tyre akademike i kanë arritur brenda natës e nëpërmjet plagjiatit.  Rektori Zejnullahu luftonte këto fenomene, që do të thotë se kishte përballë një organizatë të madhe kriminale. Kjo luftë nuk është e lehtë, dhe gjatë rrugës mund të humben shumë beteja, por lufta për dije e për kualitet duhet të vazhdojë dhe është luftë që ja vlen të bëhet. Tani, këto reagimet pas shkarkimit mua më duken shumë të dyshimta, duke pasur parasysh se kush ishte në Këshillin Drejtues. Rektori Zejnullahu, para kthimit do të duhej të sigurohej se edhe kërkesat e tij të tjera janë plotësuar. Përndryshe, jam e bindur se ndërhyrja dhe shantazhet do të vazhdojnë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.