Dërgimi i Marrëveshjes për Asociacioni e Komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja Jahjaga, ka ngjallur reagime edhe në Beograd.
Kryeministri serb, Aleksander Vuçiq në një takim që ka pasur me drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqi në Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme, Angelina Eichhorst, është deklaruar në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, me theks të veçantë në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Dërgimin e Marrëveshjes për Asociacioni e Komunave me shumicë serbe në Kosovë(AKS) në Gjykatë Kushtetuese, Vuçiq e konsideron si mesazh të keq për serbët e Kosovës dhe synim të Prishtinës për ta pezulluar këtë marrëveshje, transmeton Koha.net.
“Synimi i Prishtinës që ta pezulloj Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe ta dërgojë po atë marrëveshje pë shqyrtim dhe vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, është një mesazh i keq dhe negative për të gjithë serbët e Kosovës”, ka thënë Vuçiq.
Ai më pas tha se pala biseduese nga Kosova nuk po i përmbush marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve në Bruksel.
“E ardhmja e dialogut varet nga gatishmëria e Prishtinës për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura, sidomos atë të AKS-së”, ka përfunduar Vuçiq.