Lajmet e fundit

Vuçiq bën atë që Edi e Hashimi tuten. Shkon në zgjedhje!

Nga Beqë Cufaj

E dini kur është formuar Qeveria e Serbisë më në krye me Aleksandar Vuçiqin i cili sot serbëve të tij u tha që ka vendosur që vendin ta çojë në zgjedhje? Me datën 27 Prill të vitit 2014. Kjo dmth. që Vuçiqi me “Përparimtarët” e tij as dy vite të plota pa i prirë kësaj Qeverie (në të parën ishte vetëm “zëvendës” i Daçiqit) ka vendosur që serbëve në këtë pranverë t’ua kërkojë votën dhe besimin edhe njëherë- dhe atë në të gjitha nivelet- lokale (komuna), rajonale (krahina- që i bie edhe në Vojvodinë por edhe Kosovë!) dhe parlamentare- për qeverinë e re.

Teoritë e konspiracionit mund të jenë me dhjetëra pse më i forti i Serbisë i hyn kësaj avanture të re por fakt është që ritmi i reformave që ai ka bërë e po bën në Serbi është impresiv. Kosovën e ka mbërthyer keq në Dialog dhe me të vetëm sa po i avitet procesit të integrimeve. Partner e ka Daçiqin të cilin në pranverë pas zgjedhjeve mund ta ndërrojë me këdo që ia don qejfi: nga Pajtiqi e Tadiqi e deri tek Çanaku e Jovanoviqi. Politika e tij “edhe- edhe” (me Evropën dhe Rusinë) dhe sidomos vija e dikur Pashiqit dhe tashti modelit gjerman për Ballkan (“ne serbët do të jemi gjermanët e Ballkanit”, i kishte thënë ai një gazete gjermane para një viti) me një shpejtësi marramendëse po bëhet realitet.

Nuk do mend që me “Përparimtarët” e tij Vuçiqi do ta fitojë edhe shumicën absolute në zgjedhjet e pranverës. Dhe kjo dmth. që hapi i tij i sotëm s’ishte as avanturë e as çmenduri. Përkndrazi: atij i duhet adrenalinë që me të njejtën shpejtësi të vazhdojë me reformat në vendin e tij. Ose siç sot e tha: deri në vitin 2020. Kaq për të.

Për t’u kthyer tek shqiptarët. Dhe atë dy më të fuqishmit në Ballkan. Edin në njërën anë dhe Hashimin në anën tjetër.

Të dy të kapërthurur, më falni, mbërthyer në karrigat e tyre dhe morinë e telasheve- nga të përditshmet, për Edin në edukimin e masave që të paguajnë fatura dritash e deri tek lufta e istikameve me eminencën gri, me babain e tenderëve, mediave, mogulëve e çka jo tjetër në Tiranë- Ilir Metën. Hashimi në anën tjetër, i dyti veç në letra, s’ka dert tjetër në këtë çast dhe këtë jetë pos si t’i hipën edhe karrigës të të parit të shtetit. Mendon që e meriton. Mbase edhe e meriton për mënyrën sesi i ka luajtur dhe luan të gjithë në atë Prishtinë të shkallmuar politikisht, ekonomikisht, moralisht. Dhe kur të ulet në atë karrigë do ta sheh se i pari i cilit shtet do të jetë: i një Kosove e cila i ngjet një gremine me qytetarë të cilët janë buzë saj dhe s’dijnë nga t’ia mbajnë. Sepse edhe ashtu e dijnë që këtë jetë dhe këtë fat kështu s’e kanë merituar.

Dy liderëve të padiskutueshëm të shqiptarëve me siguri që tek kanë ngrënë drekën apo pijnë verën e kuqe të së dieles në mbrëmje mund t’u shkaktojë kokëdhembje hapi i Vuçiqit. Nga xhelozia. Por para së gjithash mëria që s’e kanë forcën e një Vuçiqi që shtetasve të tyre t’ua bëjnë nga një ftesë të hapur, të madhe, të sinqertë, të jashtëzakonshme: urdhëroni pranë kutive dhe vendosni nëse doni t’ju prijmë drejt reformave të cilat po duam t’i bëjmë në mënyrë që Shqipëria në njërën anë dhe Kosova në anën tjetër- që i bie shqiptarët, të bëhen kandidatë serioz për Berlinin dhe Brukselin dhe me këtë edhe anëtarësimin në familjen e madhe europiane.

Por jo.

Që të dy vazhdojnë të jenë të kapërthurur në spontanitetin e tyre (të ndarë) i cili përkon mes një mjerimi medial për shtirje të të bërit të politikës alla shqiptarçe dhe “reformave” të drejtësisë tek Edi dhe luftës për karriga tek Hashimi.

Pa parë dramacitetin e situatës në të cilën Kontinenti po kalon. Luhatja e Angela Merkelit nga karriga e saj si lidere, Europën jo vetëm që do ta barrikadojë por për Ballkanin kjo dmth. që tërë Gadishulli edhe njëherë do ta merr rolin e Hinterhof-it të Kontinentit. Dhe dorës së zgjatur të Erdoganit i cili me takimin që do ta ketë me Merkelin javën që vjen si dhuratë do t’i servohen krejt shtetet e rajonit dhe me këtë faktikisht ai do t’i caktojë edhe zonat e tij të ndikimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së tij politike e ekonomike.

Vuçiqi iku nga ajo zonë me hapin e së dieles.

Edi e Hashimi duket që janë përcaktuar. Shqiptarët vazhdojnë të jenë vrima e fundit e Europës dhe ura e Turqisë drejt vlerave perëndimore. Një mish-mash komb me dy mish-mash shtete që s’dijnë ku janë e çfarë duan. E tmerrshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.