Lajmet e fundit

Vuçiq së shpejti do ta vizitojë Kosovën

Drejtori i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ka deklaruar se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, në një periudhë të ardhme sigurisht se do ta vizitojë Kosovën, shkruan Beta.

Gjuriq gjatë një konference për media nuk ka specifikuar datën e vizitës, por pranoi se opinioni do të informohet “me kohë”, transmeton lajmi.net.

I pyetur se kur pritet që Vuçiq ta vizitojë Kosovën, pasi vizita e tij ishte paralajmëruar për shtator dhe më pas për fillim të tetorit, Gjuriq është përgjigjur duke thënë, “kryeministri sigurisht se do ta vizitojë Kosovën në të ardhmen dhe opinioni do të informohet me kohë për këtë”.

Gjatë qëndrimit në Bruksel më 25 gusht, kur Beogradi dhe Prishtina po nënshkruanin marrëveshjen për asociacionin e komunave serbe, Vuçiq pati deklaruar se do ta vizitojë Kosovën në shtator dhe dhjetë komunat që e përbëjnë këtë komunitetit: Mitrovicën, Zveçanin, Zubin Potokun, Leposaviqin, Graçanicën, Shtërpcen, Novobrdon, Ranillugun, Parteshin-Pasjanin dhe Kllokotin.

Më pas Gjuriq pati thënë më 24 shtator se vizita e kryeministrit serb do të zhvillohet në fillim të tetorit, ku do të vizitojë komunitetin serbë dhe do të prezantojë disa gjëra që qeveria e tij i ka arritur.

Por e përditshmja serbe Danas, në fund të shtatorit pati raportuar se vizita e planifikuar e Vuçiq për 4 dhe 5 tetor është shtyrë, për shkak të “situatës së komplikuar politike në rajon, dhe spekulohet për (mos) disponim të serbëve të Kosovës. (lajmi.net)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.