Drejtori i ashtuquajturës, Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë,Marko Gjuriq, ka deklaruar në Zebnicë të Novobërdës se Partisë Përparimtare serbe (Srpska napredna stranka) të Aleksandar Vuçiqit dhe Tomislav Nikoliqit, iu bashkuan 2000 anëtarë të rinj nga Anamorava.
Gjuriq, duke iu drejtuar të tubuarve ka thënë se 2.000 njerëzit e rinj që ditëve të fundit iu kanë bashkuar SNS-së në Anamoravë, janë dëshmitarë se njerëzit tanë nuk heqin dorë nga e ardhmja e tyre, njofton tanjug.
Ai u ka thënë partiakëve të rinj se ata kanë hyrë në partinë e cila interesat e Serbisë i ka para interesave personale dhe ka shtuar se derisa SNS të jetë boshti i Qeverisë së Serbisë dhe derisa Qeverinë e udhëheq Aleksandar Vuçiq, Serbia do të jetë me popullin serb në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq në këtë takim ka theksuar se “duhet të kemi vetëm një vizion, një program – vizioni i ekzistimit të serbëve në Kosovë i cili është i mundshëm përmes programit të SNS –së dhe me ndihmën e kryeministrit Aleksandar Vuçiq, Marko Gjuriqit dhe shtetit të Serbisë ”.
Në këtë takim folën edhe prefekti i Novobërdës Svetislav Ivanoviq, kryeshefi i të ashtuquajturit Qark të Anamoravës Sërgjan Mitroviq e të pranishëm ishin edhe ministri për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Kosovës Dalibor Jevtiq, prefekti i Shtërpcës dhe ai i Kllokotit Bratislav Nikoliq e Sreçko Spasiq.