Lajmet e fundit

Vuçiqi kërcënon me anulim të takimit me Isa Mustafën!

Kërkesat e Bashkimit Evropian (BE) për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë vlerësohen në Beograd si të “tmerrshme”. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, kërcënon me anulimin e takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

“Kërkesat në ‘kapitullin 35 për Kosovën’, nga platforma e BE-së për negociata me Serbinë, janë më shumë se vet kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, vlerëson Vucic duke shtuar se “ata po përpiqen të realizojnë të gjitha ato që nuk kanë arritur t’i realizojnë me dialog, për shembull të na marrin Gazivodën.”

Vucic i ka bërë këto komente pas marrjes së platformës së BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Platforma për negociatat me BE-në i është dorëzuar të mërkurën (07.10) Marko Gjuriqit, shef i zyrës së Serbisë për Kosovën. Shumica e 49 pikave që përmenden në këtë dokument janë neutrale për statusin e Kosovës, por ato çojnë drejt njohjes së drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës, njoftojnë mediat serbe, raporton DW.

Negociatat e Serbisë me BE mund të përfundojnë vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë. Burimet serbe thonë se një vend evropian insiston që kjo marrëveshje të nënshkruhet pas normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo nënkupton njohjen e Kosovës si shtet dhe anëtarësimin e saj në OKB.

Dokumenti për negociata është duke u përgatitur në zyrën e komisionerit për zgjerim, Johannes Hahn dhe më pas do t’i dërgohet të gjitha vendeve të BE-së për miratim. Këto vende mund të konsultohen edhe me Serbinë, para miratimit. Ndërsa teksti përfundimtar duhet të miratohet nga të gjitha vendet.

Kapitulli 35 është një ndër kapitujt e parë që duhet të hapen në negociatat me Serbinë dhe ai nënkupton arritjen e një marrëveshjeje të re me Prishtinën për normalizimin e raporteve.

Vucic thekson, se para Serbisë gjenden ditë të vështira. Por, më shumë dhe më konkretisht gjërat do të dihen pas takimit të tij me shefen e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, së cilës tani ia ka dërguar të enjten sugjerimet e tij ndaj dokumentit të marrë nga Gjuric. Vucic ka paralajmëruar madje se në qoftë se këto kërkesa futen në kapitullin 35, ekziston mundësia që ai të anulojë takimin e radhës me homologun e tij kosovar, Isa Mustafa, i cili duhet të zhvillohet më 13 tetor në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published.