Qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesën Vulinit, dhe nuk i ka dhënë leje për të vizituar Kosovën, për shkak të, siç thuhet, mosrespektimit të lejes së dhënë, dhe shkeljes së autorizimeve që i janë përcaktuar nga autoritetet kosovare.
“Është e konfirmuar se i është ndaluar atij [Aleksandar Vulinit] hyrja, sepse më 14 tetor, ka marr pjesë në një fushatë parazgjedhore. Ai ka paraqitur kërkesën e tij pranë zyrës së BE-së, dhe i njëjti na është përcjellë neve. Ne e marrim vendimi, dhe vendimi ynë ka qenë negativ, për shkak se ai nuk iu ka përmbajt kritereve, që i ka pas të përcaktuar në lejen e mëparshme”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë të enjten paradite Bekim Çollaku këshilltari i parë i kryeministrit të Kosovës.
Mirëpo refuzimi i kërkesës që i bëri Prishtina zyrtare, del të mos jetë i vlefshëm për ministrin serb.
Aleksandar Vulin porositi nga Zubin Potoku, ku kishte shkuar për të vizuar liqenin e Gazivodës bashkë me ministren serbe për energjetikën Zorana Mihajlloviq.
“Unë e respektoj mandatin e bashkësisë ndërkombëtare, dhe rezolutën [e OKB-së] 1244, dhe nëse EULEX-i zyrtarisht do të ma ndalonte hyrjen, unë këtë sigurisht se do ta respektoja. Unë s’kam komunikim me institucionet e përkohshme në Prishtinë”, u tha Vulin medieve gjatë vizitës në hidrocentralin Vallaq në Gazivodë.
Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë-EULEX, në një shpjegim për Radion Evropa e Lirë thotë se e di që Vulin ka hyrë në territorin e Kosovës.
Mirëpo sipas një zëdhënësi të këtij misioni, evropianët nuk kanë dijeni se prej nga ka hyrë Vulin.
“Jemi të vetëdijshëm se zoti Vulin është i pranishëm në Kosovë. Deri në këtë moment, nuk kemi ende informata se si ka hyrë ai në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që të thuhet se EULEX-ia s’ka të bëjë me procesin e dhënies apo refuzimit të lejeve për hyrje, për zyrtarët serb që të vizitojnë Kosovën”, thotë Anne Blanksma, zëdhënës i EULEX-it.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burimet e veta në veri, se Vulin ka hyrë përmes rrugëve alternative për shkak të refuzimit të kërkesës që i bëri Prishtina.
Këtë gjë e konfirmon edhe policia në qendër.
“Dyshohet se i njëjti ka hyrë ilegalisht në Kosovë. Për këtë Policia e Kosovës, në momentin kur do të has [në Aleksandar Vulinin], do ta ndalojë, dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore që kemi”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i policisë Baki Kelani.
Por përkundër kësaj, ministri serb është parë në përcjellje të policisë rajonale të veriut të Kosovës.
Madje në xhirimet e shfaqura nga agjencitë serbe të lajmeve shihen makinat e policisë së trafikut në veri, dhe ato të EULEX-it.
Ky rajon policor ka qenë i njoftuar me shkrim për ndalesën që i është bërë Aleksandar Vulin, nga shtabi i përgjithshëm në Prishtin
Sipas procedurave në fuqi, zyrtarit të lartë serb, policia e Kosovës është dashur t’ia komunikoj refuzimin e kërkesës, dhe ta lus që të lëshoj territorin e Kosovës.
Pas hyrjes ilegale në Kosovë, siç e sheh këtë vizitë qeveria në Prishtinë, del se Aleksandar Vulin do të ketë probleme për të marr leje nga këto autoritete në të ardhmen.
“Zotit Vulin i vlen ndalesa derisa nuk ballafaqohet me ligjin për hyrje ilegale në Kosovë”, thotë Bekim Çollaku.
Mirëpo Vulin ka një shpjegim tjetër.
Ai thotë se autoritetet në Prishtinë do të bëjnë çmos që të thyejnë unitetin e serbëve në Kosovë, dhe siç thotë ai, për këtë ka një plan.
“Sigurisht se për këtë arsye unë jam kërcënim [për Prishtinën], dhe pengoj. Dhe sigurisht se për këtë arsye do të ma ndalojnë. Por unë do të jem pranë popullit tim, dhe t’iu shpjegoj se çka na pret, dhe të jemi bashkë. Prishtina po dëshiron që serbët në veri të bojkotojnë zgjedhjet, ndërsa serbët në jug [të Kosovës] ta bojkotojnë Beogradin”, tha ai.
Përse nuk është ndaluar dhe përcjellë deri në kufi siç e parashohin procedurat në fuqi, në misionin evropian nuk dëshiron të komentojnë këtë çështje.