Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha mbajtën sot konferencë për media lidhur me dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për energjinë dhe telekomin dhe dëmin ekonomik që buron prej tyre.
Ymeri tha se ka shpërputhje të madhe mes asaj që deklaron Isa Mustafa si Kryeministër lidhur me zhvillimin ekonomik, nga veprimet që ai i bën.
“Mustafa ka pasur rast në janar kur diskutonim për Trepçën, që ta shndërronim në ndërmarrje publike dhe ta merrnin nën përkujdesje të shtetit zhvillimin dhe revitalizimin e Trepçës, por atëherë ai u tërhoq për shkak të insistimit të Serbisë. Ky rrugëtim i Qeverisë nëpër negociata me Serbinë po e sjellë Trepçën në një pozitë të negocimit, e pronësia e Kosovës mbi të po mohohet tash edhe vet nga Qeveria e Kosovës përmes marrëveshjeve të Brukselit”, tha Ymeri.
Duke folur për marrëveshjen për telekomunikacion, Ymeri theksoi se marrja e kodit është gjë e rëndësishme për një vend, mirëpo mënyra si Kosova po e merr këtë kod e simbolizon tërë këtë proces të negociatave në Bruksel.
“Kërkesa e Austrisë është bërë në emër të të dyja palëve, ku Kosova paraqitet me asteriksin e vetë (*). Kjo është pranim i kontestimit të pavarësisë së Kosovës që bëhet nga Serbia, e që tash zyrtarisht është regjistruar edhe në buletinin e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU). Ky kod nuk i ndahet Kosovës, por Kosovës dhe Serbisë. Kur kodi është i të dyjave atëherë secila palë mund ta problematizojë atë kod dhe ta menaxhojnë atë. Ky është legalizim i ndërhyrjes ilegale të deritashme të Serbisë në fushën e telekomunikacionit në Kosovë. Tregu i telekomunikacionit po ndahet në dysh”, tha lideri i Vetëvendosjes.
Sipas tij, Kosova ka mundur që të aplikojë për anëtarësim në ITU, ashtu siç ka aplikuar në FMN e Bankë Botërore ose ka mundur që ta marrë kodin e Republikës së Shqipërisë, për çka kemi edhe Rezolutë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga legjislatura e kaluar.
Ndërkaq, drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, tha se ekipi negociator po përpiqet ta mashtrojë popullin e Kosovës kinse Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) po anëtarësohet në organizata evropiane dhe po e forcon shtetin.
“Përmes këtij mashtrimi ekipi negociator teknik dhe politik po duan të na hedhin hi syve për të lejuar futjen e operatorit të Serbisë “Elektrosever” në Kosovë që na dëmton shumë ekonomikisht, si dhe e dezintegron sistemin energjetik të Kosovës”, theksoi Hoxha.
“Kjo marrëveshje është një shprehje e mbështetjes së shteteve nënshkruese bilaterale dhe është gjithsesi një dëshmi mbështetjes individuale. Mirëpo ta nxjerrësh përfundimin se me këtë marrëveshje ENTSO-E po ta njeh shtetësinë (koment ky i Edita Tahirit) është jo vetëm jokorrekte por edhe një vënie në lajthitje e qytetarëve. Aq më tepër kur në fund të informatës nga ENTSO-E shkruan qartazi se nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla nuk e bën KOSTT-in anëtar të ENTSO-E. E, për ta eliminuar çfarëdo mundësi për deklarata të ngjashme të Edita Tahirit, aty është vendosur edhe Fusnota”, u shpreh Naim Hoxha.