Lajmet e fundit

VV!: Opozitën nuk e ndalë Presidentja as Shoqëria Civile!

Lëvizja Vetëvendosje nuk do të pranojë kurrfarë ndërhyrje lidhur me kërkesat që ka për heqjen e nënshkrimit nga kryeministri Isa Mustafa, për marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel. Çfarëdo ndërhyrje, qoftë ajo nga shoqëria civile apo vet presidentja e vendit, për VV’në, është veç humbje kohe.
Qëndrimet e këtij subjekti politik i ka prezantuar deputeti Ismajl Kurteshi, i cili bashkë me anëtarin tjetër të kësaj lëvizje, Mytaher Haskuka, folën sot para mediave për ndikimin që “Zajednica” do të ketë në fushën e arsimit.

Ata folën për Universitetin e Prishtinës në veri të Mitrovicës, për të cilin thanë se nuk i nënshtrohet asnjë akreditimit dhe proceset brenda i miraton vet, pa përfshirë institucionet e Kosovës.

Mytaher Haskuka tha se Universiteti i Mitrovicës nuk e ka zbatuar asnjëherë legjislacionin kosovar.

Sipas tij, me marrëveshjet e arritura në Bruksel, ligjet e Kosovës për arsim nuk do të zbatohen asnjëherë në atë pjesë të vendit.

“Me marrëveshjen, Qeveria e Kosovës pajtohet që ajo nuk do të ketë kurrfarë kontr olli dhe mbikëqyrje mbi institucionet e arsimit universitar ku studiojnë qytetarët e Kosovës të nacionalitetit serb. Përfundimisht me Zajednicën, Qeveria e Kosovës heq dorë nga licencimi i universitetitdhe vendos që Universiteti paralel i Prishtinës në pjesën veriore të Mitrovicës nuk i nënshtrohet fare akreditimit, dhe heq dorë nga aprovim i statutit të këtij universiteti, gjersa Kuvendit të Republikës së Kosovës, ia merr të drejtën që të ratifikojë statutit e këtij universiteti”, tha ai.

Sipas tij, do të duhej të ketë një universitet ku ligjërimi do të bëhej në disa gjuhë, sipas vlerave universitare, e do të ndihmonte në dialogun mes qytetarëve të Mitrovicës.

Ai tha se kjo do të ishte e mundur nëse do të kishte vullnet për një gjë të tillë.

Haskuka tha se qeveritë e deritanishme kanë punuar vetëm në interesa të grupeve mafioze dhe atyre të Beogradit dhe asnjëherë për intere sa të qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, deputeti Ismajl Kurteshi foli për tekstet shkollore të nxënësve të nacionalitetit serb në veri të vendit në të cilat tha se Kosova paraqitet si një shtet armik për serbët dhe se gjendja e tanishme është vetëm e përkohshme, pasi që Serbia do ta kthejë autoritetin në Kosovë.

Ai shtoi se shkollat me mësim në gjuhën serbe nuk i raportojnë drejtorisë komunale dhe MASHT-it, derisa numri i mësimdhënësve dhe teknikëve edhe më i madh se në shkollat në gjuhën shqipe.

Kurteshi bëri të ditur se opozita nuk do të ndalet me kërkesat e tyre për tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit në marrëveshjet në Bruksel.

“Të gjithë ta duhet të ndërhyjnë që të na ndihmojnë e që qeveritarët të tërhiqen vet nga ai gabim i madh, në jemi të gatshëm me i u ndihmu atyre me u tërheqë. Tashmë e kemi bërë një hap, i kanë 200 mijë qytetarë kundër asaj marrëveshje, me të cilën ata mund të arsyetohen në Bruksel. Por, kushdo që bënë përpjekje që ta bind opozitën ose të bëjë presion mbi të që të heqë dorë nga ky qëllim, mendoj shumë i drejtë, mendoj që ka me qenë humbje kohe dhe humbje energjie”, tha ai.

Sipas Vetëvendosjes me marrëveshje e veprime të tilla nga ana e qeverisë, po humbin shanset për zhvillimin e Mitrovicës dhe bashkimin e saj. Sipas tyre, me marrëveshjet e fundit, qeveria ka humb shanset që arsimi i lartë të jetë bashkues i nacionaliteteve në Mitrovicë, sikurse që bashkohen në shumë vende të botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.