Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti sot Ambasadorin William Walker, ish shef i misionit verifikues gjatë luftës në Kosovë, njofton kumtesa komunale.
Në u bisedua kryesisht për situatën politike në Kosovë, si dhe qeverisjen në Komunën e Prishtinës.
Ahmeti tha se Ambasadorit Walker i foli për të arriturat në dy vitet e fundit në Komunën e Prishtinës, si dhe zhvillimet e fundit politike në nivelin qendror.
“Kur William Walker interesohet për Kosovën, ai këtë e bën si një mik i madh dhe i sinqertë i saj, prandaj edhe ishte kënaqësi e veçantë biseda me të”, tha Ahmeti.
Ambasadori Walker shprehu kënaqësinë e tij që gjendet në Kosovë përsëri, si dhe për takimin me Shpend Ahmetin, me të cilin njihet që nga koha kur Ahmeti ka qenë profesor i Universitetit Amerikan në Kosovë.
Duke iu referuar problemeve të qytetit të Prishtinës, William Walker tha se nuk njeh dikë që do të mund të përballej më me sukses me këto probleme, se sa Shpend Ahmeti, thotë kumtesa.
Kurse, sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë ai tha se po duket që kjo klasë politike që ka qeverisur nuk është duke shkuar rrugës së duhur.
“Në ShBA, zhvillohen protesta tërë kohën, prandaj kur ka kauzë, protesta është e drejtë legjitime e qytetarëve”, citon kumtesa të ketë thënë Walker.