Nga: Hafiz GAGICA
Ta kujtosh sot Xhemën pas gati 15 viteve, apo të shkruash për te është vështirë, sepse njeriu nuk dinë ç’të flas më përpara për te, për urtësinë e tij, apo për gjindshmërinë e tij, për mendjemprehtësinë e tij, apo për shkrimet e qarta dhe shumë me interes, jo veç për letërsinë shqiptare, por edhe për publicistikën në veçanti. Xhema kishte një dashuri tepër të madhe për një Kosovë të lirë dhe demokratike, të përparuar dhe të integruar në vendet e zhvilluara si dhe në Unionin Evropian.
Xhema, siç e quanim në mesin e miqve të tij të ngushtë, jetoi dhe punoi vetëm për ta parë atdheun e tij të lirë nga thundra e rënd e okupimit barbarë serb.
Por, pa e shijuar mirë lirinë e Kosovës, u vra mizorisht nga një dorë tradhtare për të mos vdekur kurrë! Dhe, ai këtë e meritoi më shumë se askush tjetër nga intelektualët shqiptarë të Kosovës. Madje, me shkrimet dhe fjalimet e tij frymëzuese dhe inspiruese në rrethanat e një lufte barbare të shkaktuar në Kosovë nga regjimi kriminel i Serbisë në vitet 1998/99, i dha shpirt dhe kurajë gjithë kombit dhe luftëtarëve të lirisë që të qëndrojnë të fortë dhe të pa thyer në frontin e luftës, deri në çlirimin e plotë të atdheut.
Dhe sot, sa më tutje që vitet po palohen mbi njëri tjetrin, Xhema po bëhet më i pranishëm në kujtesën tonë kombëtare, dhe aq më shumë po na mungon në vetëdijen tonë politike dhe intelektuale, kështu që kujtimi për Xhemën sa vjen e bëhet më i rënd në zëmrat dhe shpirtin tonë të lënduar nga dora kriminale që e vrau aq mizorisht për të na lënë me dhimbjen e madhe për njeriun i cili ishte miku më i afërt i presidentit Ibrahim Rugova, por edhe burri i cili i dha emër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës..!
Qoftë i përjetshëm kujtimi ynë për Xhemajl Mustafën!
Prishtinë, 23 Nëntor 2015